Kryenin manovra të rrezikshme në det, gjobiten 25 drejtues të mjeteve lundruese, 3 bllokohen
25 drejtues mjetesh lundruese janë gjobitur gjatë muajit korrik për manovra të rrezikshme, duke rrezikuar jetën përgjatë vijës bregdetare të jugut. Sipas policisë së qarkut të Vlorës gjoba e vendosur është në vlerën e 10 mijë lekëve kryesisht për Jetski, ndërsa 3 prej tyre janë bllokuar.
‘Pas lokalizimit të dy mjeteve lundruese, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2020, neni 14/b, u ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, pronarët e mjeteve lundruese, shtetasi E. H., banues në Sarandë dhe shtetasi K. K., banues në Tiranë.
Gjithashtu u bë bllokimi i të dy mjeteve lundruese “Jet ski” me të cilët këta shtetas kryen manovra të rrezikshme, në plazhin e Ksamilit.’- njofton policia.
Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish, në gjendje të rëndë. Një tjetër rast i rrezikshëm ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut.
Policia Kufitare njofton se do të vijojë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit, gjatë sezonit turistik.
Fraksion.com