AktualitetBota+Të fundit

Rusia shton goditjet mes kundërsulmeve ukrainase

Forcat ruse nisën të enjten sulme masive me raketa në rajonet e Kievit dhe Chernihivit, zona që nuk janë shënjestruar prej javësh, ndërsa zyrtarët ukrainas njoftuan një operacion për të çliruar një rajon të pushtuar në jug të vendit.

Guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kuleba, tha në rrjetin Telegram se një vendbanim në distriktin Vyshgorod të rajonit ishte vënë në shënjestër të enjten herët në mëngjes dhe një “objekt infrastrukturor” është goditur. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse kishte viktima.

Guvernatori i Chernihivit, Vyacheslav Chaus, në të njëjtën kohë raportoi se raketa të shumta u hodhën nga territori i Bjellorusisë në komunitetin Honcharivska.

Trupat ruse u tërhoqën nga rajonet e Kievit dhe Chernihivit muaj më parë, duke mos arritur të pushtonin asnjërën. Sulmet e ripërtërira në këto zona ndodhin një ditë pasi udhëheqësi i separatistëve pro-Kremlinit, Denis Pushilin, u bëri thirrje publikisht forcave ruse të “çlirojnë qytetet ruse të themeluara nga populli rus – Kiev, Chernihiv, Poltava, Odesa, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Zaporizhia, Lutsk”.

Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, gjithashtu u vu nën një breshëri bombardimesh gjatë natës, tha kryetari i tij Ihor Terekhov. Qyteti jugor i Mykolaivit u godit gjithashtu dhe një person mbeti i plagosur.

Ndërkohë, ushtria ukrainase vazhdoi kundërsulmin në rajonin jugor të pushtuar të Khersonit, duke goditur një urë strategjike mbi lumin Dnjepër të mërkurën.

Mediat ukrainase cituan të enjten zotin Oleksiy Arestovich, këshilltar i presidentit të Ukrainës, të ketë thënë se operacioni për çlirimin e Khersonit “ka filluar tashmë”. Ai tha se forcat e Kievit po planifikonin të izolonin trupat ruse atje dhe t’u linin atyre tri mundësi: “të tërhiqen nëse është e mundur, të dorëzohen ose të asgjësohen”.

Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha të mërkurën se ishte “i kujdesshëm” në vlerësimin e afatit kohor të kundërsulmit të mundshëm. “Unë me të vërtetë do të doja që ai të ndodhte më shpejt”, tha ai, duke shtuar se “armiku tani po përqendron numrin maksimal (të forcave) pikërisht në drejtim të Khersonit”.

“Një lëvizje shumë e madhe e trupave të tyre ka filluar, ata po mbledhin forca shtesë”, paralajmëroi zoti Danilov.

Ushtria britanike vlerësoi të enjten se kundërsulmi i Ukrainës në Kherson “po mbledh vrull”.

“Forcat e tyre kanë shumë të ngjarë të kenë krijuar pozicion të fortë në jug të lumit Ingulets, i cili formon kufirin verior të Khersonit të pushtuar nga Rusia”, tha të enjten ministria Britanike e Mbrojtjes.

 

Ajo tha se Ukraina ka përdorur artilerinë e saj të re me rreze të gjatë veprimi për të dëmtuar të paktën tri nga urat mbi lumin Dnjepër “në të cilat Rusia mbështetet për të furnizuar zonat nën kontrollin e saj”. Ura Antonivsky, 1000 metra e gjatë, të cilën forcat ukrainase e goditën të mërkurën, ka të ngjarë të jetë “e papërdorshme”, përfundoi ministria Britanike e Mbrojtjes.
Fraksion.com