AktualitetTë fundit

Sekuestrohen 30 kg kanabis, pranga 24-vjeçarit në Korçë

Finalizohet faza e dhjetë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar tetë muaj më parë, ndërsa në pranga ka rënë një person.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet E. Z., 24 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë.

Njoftimi i Policisë

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me AMP Korçë, Policinë Kufitare, shërbimet e Frontex-it, Komisariatet e Policisë Korçë dhe Devoll, nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 tjetër.

 

 

Sekuestrohen 30 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shkon në​ 23 numri i të ndaluarve, në 565.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate, sekuestruar në kuadër të këtij operacioni.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Korçë, Policinë Kufitare, shërbimet e Frontex-it, Komisariatet e Policisë Korçë dhe Devoll, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur tetë muaj më parë kanë finalizuar me sukses fazën e​ dhjetë të tij, si rezultat i së cilës u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit:

– E. Z., 24 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë;

Si edhe u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin:

– A. Z., 32 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe informacioneve të grumbulluara se shtetasi E. Z., në bashkëpunim me persona të tjerë, ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe nga kontrolli i ushtruar në afërsi të banesës së tij në fshatin Ponçarë, gjetën dhe sekuestruan 2 çanta sportive, me 30 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shokut të tij, shtetasit A. Z., u gjet e sekuestrua një motor i markës “Peda Tek”, pa targa dhe dokumentacionin përkatës, i cili rezultoi i vjedhur në Maqedoninë e Veriut.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com