Policia e Lezhës del në konferencë për shtyp për vrasjen e Klisman Preçit në Milot
Kanë kaluar katër ditë nga vrasja e 28-vjeçarit Klisman Preçi dhe plagosjes së Ylli Brahimit 46-vjeç në Milot, ndërsa asnjë detaj nuk është zbuluar në lidhje me autorët e ngjarjes.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Busha, ka dalë në një konferencë për shtyp ditën e sotme, ku ka folur në lidhje me ngjarjen dhe ka njoftuar se policia po punon intensivisht për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjërjes.
Fjala e Drejtorit Vehbi Busha:
“Nga ana tjetër, strukturat e DVP Lezhë, në koordinim me strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po punojnë intensivisht për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë të ndodhur më datë 22 korrik 2022, në Milot.
Policia e Lezhës shpreh vendosmërinë e saj në luftën pa kompromis ndaj krimit, duke përdorur të gjitha kapacitetet e saj dhe duke bashkëpunuar ngushtë edhe me institucionet e tjera ligjzbatuese, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të krimeve të kryera, si dhe ndërhyrjen për parandalimin e ngjarjeve të tjera të mundshme kriminale.
Përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë qytetarët, që të mbështesin akoma më shumë dhe të bashkëpunojnë me Policinë, për të denoncuar çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”
Ngjarja
Mbrëmjen e 22 korrikut, teksa Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi po dilnin nga pallati për të hyrë në makinë, është qëlluar në drejtim të tyre me breshëri plumbash. 28-vjeçari Klisman Preçi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra ndërsa Brahimi ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Të dy janë persona të njohur për drejtësinë shqiptare, ku Ylli Brahimi është i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, ndërsa Klisman Preçi ka precedent penal për grabitje me armë.
Fraksion.com