Papa kërkon falje për “ligësitë” në shkollat e indigjenëve në Kanada
Papa Françesku kërkoi falje të hënën për rolin e Kishës Katolike në politikën e mëparshme të Kanadasë për ndarjen e fëmijëve indigjenë nga familjet e tyre dhe detyrimin e tyre që të ndjekin shkolla të krishtera, ku shumë prej tyre u abuzuan.
“Kërkoj falje me përulësi për ligësitë e kryera nga kaq shumë të krishterë kundër popujve indigjenë”, tha Papa Françesku në një ish shkollë rezidenciale indigjene në qytetin perëndimor kanadez Maskwacis, Alberta.
Më shumë se 150 mijë fëmijë indigjenë në Kanada u detyruan të ndiqnin shkollat rezidenciale të krishtera të financuara nga qeveria nga fundi i viteve 1880 deri në vitet 1970, në kuadrin e një përpjekjeje për t’i larguar ata nga gjuhët dhe kulturat e tyre amtare.
Shumë nga fëmijët u abuzuan fizikisht dhe seksualisht në një sistem që Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit të Kanadasë e ka quajtur “gjenocid kulturor”.
Mijëra banorë indigjenë u mblodhën të hënën për të dëgjuar Papën të fliste pranë vendit të ish Shkollës Rezidenciale Indiane Ermineskin, shumë prej tyre të veshur me veshje tradicionale. Të tjerët mbanin këmisha portokalli, një simbol i të mbijetuarve të shkollave rezidenciale.
Papa tha se shkollat rezidenciale ishin një “gabim katastrofik” që ishte “i papajtueshëm” me ungjillin dhe tha se shkollat patën efekte “shkatërruese” për breza të tërë të popullsisë indigjene.
“Kërkoj falje, në veçanti, për mënyrat në të cilat shumë anëtarë të kishës dhe të komuniteteve fetare bashkëpunuan, jo më pak përmes indiferencës së tyre, në projektet e shkatërrimit kulturor dhe asimilimit të detyruar të promovuar nga qeveritë e asaj kohe”, tha ai.
Ai kërkoi falje për mbështetjen e Kishës Katolike ndaj një “mentaliteti kolonizues” dhe bëri thirrje për një “hetim serioz” të traumave të shkaktuara ndaj fëmijëve indigjenë në institucionet arsimore katolike.
Papa kishte kërkuar falje për rolin e Kishës Katolike në shkollat rezidenciale kanadeze gjatë një vizite të delegatëve indigjenë në Vatikan në fillim të këtij viti. Megjithatë, kjo është hera e parë që Papa kërkon falje në tokën kanadeze.
Abuzimet në shkollat rezidenciale kanadeze tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare vitin e kaluar pas zbulimit të qindra vendeve të mundshme të varrimit në shkollat e mëparshme. Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i Kanadasë i bëri thirrje Papës që të kërkojë falje për abuzimet në tokën kanadeze.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka kërkuar falje për rolin e Kanadasë në sistemin e shkollave rezidenciale, duke thënë se ishte një “politikë qeveritare tepër e dëmshme”.
Me mbërritjen e tij në Kanada të dielën, Papa u prit nga përfaqësuesit e tre grupeve kryesore indigjene të Kanadasë – Kombet e Parë, Metis dhe Inuit – së bashku me Kryeministrin Trudeau.
Gjatë udhëtimit të tij me avion nga Roma në Edmonton të dielën, Papa Françesku u tha gazetarëve: “Ky është një udhëtim pendese. Le të themi se kjo është fryma e tij”.
Gjatë vizitës së tij në Kanada, Papa do të shkojë edhe në Quebec City dhe Iqaluit, kryeqyteti i territorit Nunavut.
Papa 85-vjeçar anuloi një udhëtim në fillim të këtij muaji në Afrikë për shkak të një problemi shëndetësor në gju.
Fraksion.com