AktualitetDialogKosovaTë fundit

Osmani e Kurti takojnë Blinkenin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takojnë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, më vonë gjatë ditës së martë në Uashington.

Në njoftimin e presidencës është thënë se palët do të diskutojnë për partneritetin bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, për mbështetjen ndaj Kosovës në sektorët strategjikë, duke përfshirë ekonominë dhe mbrojtjen.

“Në takim, Presidentja Osmani do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ajo do ta informojë Sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avancimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit”, është thënë në njoftimin e presidencës.

Duke iu referuar Kosovësmë herët, Blinken ka thënë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme, dhe se duhet të ketë këmbëngulje për të ndërtuar institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Ai ka shprehur mbështetjen amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë proces si rrugë për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Blinken ka thënë se po ashtu shpreson që Kosova të zë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike./REL

 

Fraksion.com