AktualitetEkonomiTë fundit

Njohja e pensioneve me Italinë, nisin diskutimet për marrëveshjen

Shqipëria dhe Italia kanë nisur diskutimet për arritjen e marrëveshjes nëpërmjet së cilës do të mundësohet njohja e sigurimeve shoqërore.

Që nga  dita e djeshme e deri më 27 korrik Senatori Tommaso Nannicini, Kryetar i Komisionit parlamentar për kontrollin e veprimtarive të institucioneve që menaxhojnë format e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe asistencës sociale, do të zhvillojë një vizitë në Tiranë.

Ai do të kryesojë Delegacionin e përbërë nga Përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore.

Delegacioni do të kryejë një vizitë në Tiranë për të negociuar me palën shqiptare marrëveshjen mbi njohjen e sistemeve të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, me qëllim arritjen e bashkimit të kontributeve shoqërore për ata shtetas që kanë punuar në të dy Vendet.

Gjatë vizitës Delegacioni do të zhvillojë takime me Zëvendës Ministren e Financave, Olta Manjani, si edhe me ekspertë teknikë në fushën e legjislacionit dhe të marrëveshjeve mbi sigurimet shoqërore.

Konferenca për Shtyp lidhur me komunikimin e rezultateve të arritura gjatë takimit të parë të negociatave do të mbahet pranë Rezidencës së Italisë në datën 27 korrik në orën 12.30. Do të mbajë fjalën Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, Senatori Tommaso Nannicini dhe Geri Ballo, Nismëtare e peticionit “Pensioni është një e drejtë. Mbështesim marrëveshjen Itali-Shqipëri”.

 

Fraksion.com