BE-ja debaton për planin emergjent për gazin
Plani i emergjencës për gazin që ka propozuar Brukseli për këtë dimër ka shkaktuar debate të nxehta mes vendeve të BE-së.
Për të siguruar furnizimin e Evropës me gaz pavarësisht reduktimeve ose pezullimit të furnizimit me gaz nga Rusia presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, u bëri thirrje të premten e kaluar të gjitha vendeve anëtare të kursejnë 15 përqind të nevojave të tyre konvencionale për gaz në periudhën 1 gusht deri më 31 mars. Nëse kjo thirrje nuk mjafton Komisioni i BE-së dëshiron që kursimet t’i bëjë të detyrueshme.
Thirrje për solidaritet
Ministri Federal i Ekonomisë Robert Habeck ka bërë vazhdimisht thirrje për solidaritet midis vendeve anëtare të BE-së. Por vendet jugore në veçanti Spanja, Portugalia apo Greqia janë shprehut se nuk e kuptojnë se pse qytetarët e tyre apo industria e këtyre vendeve duhet të bëjnë kursime për shkak të varësisë së Gjermanisë nga gazi rus. Athina dhe Madridi iu referuan në këtë kontekst edhe qëndrimit të ashpër gjerman ndaj këtyre vendeve gjatë krizës financiare të vitit 2008.
Nuk bëhet fjalë vetëm për Gjermaninë
Një përfaqësues i BE-së theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për Gjermaninë: “Ne kemi një treg të brendshëm të BE-së dhe pasojat e dhimbshme do të ndjehen nga të gjithë.” Ndërkohë Rusia njoftuar se do t’i shkurtojë furnizimet me gaz përmes tubacionit Nord Stream 1 në Detin Baltik në rreth 20 për qind të kapacitetit.
Sipas ministres franceze të Tranzicionit të Energjisë, Agnès Pannier-Runacher, Franca në parim është e gatshme për “solidaritet” me Gjermaninë, por mundësitë për të dërguar gazin e kursyer në Republikën Federale të Gjermanisë janë “fizikisht dhe teknikisht të kufizuara”. Po ashtu sipas saj nuk është realist as objektivi për një kursim në një shkallë të njëjtë për të gjitha vendet e BE-së.
Gatishmëri për solidaritet, por ….
Edhe ministrja polake e Klimës Anna Moskwa tha se as vendi i saj nuk mund të pajtohet me projektin e kursimit. “Vendet e kanë të vështirë të japin dritë jeshile për kursimin e detyrueshëm të gazit pa e ditur se si do të jetë dimri dhe pa mbrojtur interesat e tyre”, theksoi ajo.
Presidenca çeke e Këshillit të BE-së shpreson që të martën të arrihet në ndonjë përfundim, edhe si një “sinjal ndaj Rusisë”, siç u tha në Bruksel. Një vendim i tillë kërkon një shumicë të cilësuar prej 15 vendesh anëtare që përfaqësojnë 65 përqind të popullsisë së BE-së./DW
Fraksion.com