Tabaku: Koha që SPAK të veprojë për inceneratorët
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku kërkoi sot drejtësi në hetimet për inceneratorët, duke u shprehur se SPAK duhet të ndëshkojë ata që pretendojnë se janë të paprekshëm.
“Shifrat që publikohen nga buxheti i shtetit tregojnë si mos më mirë situatën problematike të faturave koncesionare që rëndojnë xhepat e shqiptarëve në kohë krize. Akoma më keq shumica e këtyre kontratave koncesionare kanë njollën e zezë të korrupsionit. Janë paguar në 2021, vit pandemik, thuajse 12 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për faturat e koncesioneve që në të vërtetë janë simboli i korrupsionit që po gërryen paratë e shqiptarëve dhe buxhetin e vendit. Të mendosh që 2 miliardë lekë i janë paguar tre inceneratorëve që sot janë nën hetim nga SPAK kur mund t’i paguheshin qytetarëve dhe bizneseve të mbyllur nga pandemia”, u shpreh Tabaku.
“Një vlerë marramendëse sidomos në këtë kohë krize kur shqiptarët janë të varfër, të lënë pasdore dhe të harruar ndërsa qeveria mendon për grupin e oligarkëve që e sponsorizon me taksat e qytetarëve. Kryeministri vazhdon të mbrojë këto 3 kontrata me vlerë 430 mln euro që janë vjedhja e shekullit dhe simboli i babëzisë që po gërryen përditë Shqipërinë ndërsa vendi vazhdon të mbetet nën mbetjet korruptive që kanë gjetur strehë në qeveri”, theksoi ajo.
Tabaku vuri në dukje se “kjo është një aferë që duhet të ndajë një herë e mirë shapin nga sheqeri. Një aferë që duhet të tregojë nëse SPAK ka integritetin e duhur dhe është në lartësinë për të cilën u votua dhe nga PD për t’u krijuar”.
“Shqiptarët kanë vuajtur këto 30 vite për barazinë përpara ligjit. Koha është që SPAK të ndëshkojë ata që pretendojnë se janë të paprekshëm. Koha që pandëshkueshmëria të marrë fund dhe SPAK të gjejë guximin për të dërguar përpara togës së gjyqtarit këdo që shkel me arrogancë dhe që mendon se mund të blejë çdokënd në këtë vend. Shqipëria ka etje për drejtësi dhe nevojë për një shkundje. Padrejtësia nuk mund të jetë norma pasi vendi jonë tanimë është zyrtarisht në negociata me BE-në. Drejtësi për aferën e inceneratorëve! Koha që SPAK të veprojë! Koha që qeveria të pezullojë kontratat dhe pagesat e taksave të shqiptarëve për vjedhjen e shekullit”, theksoi ajo.
Fraksion.com