Osmani dhe Kurti udhëtojnë në SHBA për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-n
Bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Uashington, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç njofton zyra e shtypit e kryeministrisë, në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë.
Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen.
Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë.
Ndërkaq gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata do të zhvillojnë edhe takime të tjera.
Fraksion.com