AktualitetPolitikëTë fundit

Nikolla: Çelja e negociatave të anëtarësimit, hap domethënës

Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën për Sigurinë në Evropën Juglindore, SESC, dhe IPAC-Albania, të drejtuar nga deputetët Fatmir Mediu dhe Mimi Kodheli, organizoi sot Konferencën “Sfidat e sigurisë dhe riformimi i gjeopolitikës”, pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Në konferencë mori pjesë Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deputetë, si edhe parlamentarë nga vendet e rajonit, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, ekspertë të sigurisë dhe të ftuar të tjerë.

Moderatorë të konferencës ishin kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli dhe deputeti Fatmir Mediu.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënvizoi se “çelja zyrtarisht e negociatave të Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një hap domethënës drejt ngushtimit të asimetrisë midis dy proceseve: integrimit euroatlantik, pra në NATO, dhe integrimit evropian, në të cilat janë përfshirë vendet  e rajonit. Fakti është që integrimi euroatlantik dhe perspektiva e NATO-s për sigurinë është më e qartë dhe më e avancuar se perspektiva e Bashkimit Evropian. Kjo pozitë asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në BE dëmton jo vetëm vendet e rajonit, por edhe vetë sigurinë e BE-së. Ajo kërkon një përgjigje më të shpejtë nga BE”.

“Influencat jo perëndimore në rajon pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës janë bërë më të rrezikshme më të dukshme. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor ndodhen në kryqëzimin e influencave të qytetërimit perëndimor  dhe jo perëndimore. Influencat jo perëndimore në rajonin tonë nuk janë më hipotetike, as kulturore, as vetëm ekonomike, por, siç tregoi lufta kundër Ukrainës, reale dhe me potenciale shpërthyese. Për më tepër, rreziku i tyre shkon përtej një rajoni dhe, madje, disa rajoneve”, tha Nikolla.

“Zhvillimet kibernetike po prekin edhe gjeopolitikën tradicionale dhe po i imponojnë asaj mjaft sfida. Gjatë dekadës së fundit po ndodh një proces që mund ta quajmë  “demokratizim i teknologjisë”. Por ky proces zhvillohet në kushtet e një shpërpjesëtimi me  kapacitetet më të ulëta të ekonomive dhe shoqërive të vendeve të rajonit tonë për t’u mbrojtur nga rreziqet që vijnë prej shpërdorimit të teknologjive të avancuara”, theksoi Nikolla.

“Pra, “demokratizimi i teknologjisë” mund të kërcënohet nga i ashtuquajturi “demokratizim i dhunës”, e cila shfrytëzon teknologjitë e avancuara, sidomos pikat e dobëta të këtyre sistemeve. Industria kibernetike po i imponon botës sfida të reja. “Lufta e Ftohtë” po zëvendësohet nga lufta e nxehtë kibernetike; kufijtë tokësorë po kapërcehen nga ekspansioni i teknologjive te informacionit; sovraniteti dhe integriteti territorial po relativizohen nga qarkullimet dhe shkëmbimet e vrullshme të teknologjive, industrive dhe monedhave virtuale”, nënvizoi Nikolla.

Folës kryesor në konferencë ishte gjenerali James L. Jones, Jr., ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e presidentit Obama dhe ish-komandant Suprem i forcave të NATO-s.

Në fjalën e tij, gjenerali Jones nënvizoi se, “aktualisht jetojmë në një botë ku përplasen demokracia me autokracinë. Kjo pamje u bë e qartë pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Në këto kushte bashkëpunimi transatlantik duhet të zgjerohet e forcohet, duke u fokusuar më shumë në teknologjinë 5G, si një faktor që nxit rritjen, por edhe mbron sigurinë e qytetarëve. Gjenerali Jones u ndal edhe në nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e ekonomive dhe sigurisë prej rreziqeve e sulmeve kibernetike.

Në konferencë e morën fjalën edhe deputetë, të ftuar dhe ekspertë vendas dhe nga vendet e rajonit.

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli theksoi se, “Koncepti i Ri strategjik i NATO-s ka përcaktuar qartë, jo vetëm kërcënimin që vjen nga Rusia, por dhe nga Kina. Teknologjitë në duar të vendeve autoritare mund të kthehen në një armë kundër qytetarëve dhe vendeve demokratike. Shqipëria si vend anëtar i NATO-s duhet të ndërtojë politika të sigurisë duke krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme me vendet e NATO-s në rajon”.

Ndërsa Fatmir Mediu theksoi se, “sfidat e sigurisë janë mbi ndarjet politike. Ndarja ndërmjet demokracive dhe shteteve autoritare është një komponente e fortë e ndarjes gjeopolitike. Rusia dhe Kina kanë penetruar në rajon duke iu kundërvënë proceseve euroatlantike të rajonit. IPAC Albania është pjesë e një aleance për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme me partnerët tanë në NATO, SHBA dhe BE kundër penetrimit të Kinës”.

Deputeti Damian Gjiknuri nënvizoi se, “aktualisht po ndodh ndarja e botës sipas vlerave të diferencuara dhe krijimi i një bote shumëpolare. Përballë këtyre sfidave, Shqipëria është e vendosur në orientimin e saj perëndimor, e cila është rruga më e sigurt drejt demokracisë, zhvillimit e mirëqenies”.

Deputeti Alfred Rushaj vuri në dukje se, “paqen dhe sigurinë nuk duhet t’i marrim si të mirëqena, por duhet të konsiderojmë rrezikimin e tyre prej rigrupimeve gjeopolitike dhe ndërvarësive energjetike dhe të zhvillimeve të vrullshme teknologjive e kibernetike midis fuqive jo perëndimore”.

 

Fraksion.com