AktualitetPolitikëTë fundit

Ndryshime në qeveri: Shkarohet Ahmetaj, e zëvendëson Balluku. Majlinda Dhuka në kryenegociatore dhe ministre Shteti, largohet Zef Mazi

Ndryshime në qeveri! Kjo e hënë ka nisur me strukturim të kabinetit qeveritar. Kryeministri Edi Rama i ka besuar postin e zëvendëskryeministrin, Belinda Ballukut, duke shkarkuar nga kjo detyrë Arben Ahmetajn, i cili nuk do të mbajë as postin e ministrit për Shtetin Rindërtimin. Ndërkohë Balluku do të mbajë sërish postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Në kuadër të procesit të integrimit dhe negociatave me BE-në, kryeministri Edi Rama bën të ditur se si kryenegociatore është emëruar Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik, në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Zef Mazi. Dhuka po ashtu është emëruar Ministre Shteti për marrëdhëniet me BE-në pranë kryeministrit.

Kreu i qeverisë ka falenderuar Ahmetajn për kontributin dhe misionin përmbushur për Rindërtimin si dhe kryenegociatorin Zef Mazi për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave.

‘Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit.

Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre.

Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.’- njofton Rama.

Kush është Belinda Balluku?

Znj. Belinda Balluku është Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë nga janari 2019.

Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2021, zonja Balluku u zgjodh deputete e Qarkut të Tiranës.

Para se të emërohej ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo ka qenë Drejtore e Përgjithshme e ALBCONTROL, Sh.A., Agjencia Kombëtare e Navigacionit Ajror të Republikës së Shqipërisë (2013-19).

Znj. Balluku është e diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillimi Ekonomik” në Shkollën Kennedy të Harvardit dhe ka diplomë nderi nga IATA (International Air Transport Association) për menaxhimin e shërbimeve të navigimit ajror (Air Navigation Services Management).

Ajo u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Diplomën e Përgjithshme të Menaxhimit, në Miami, SHBA. Ajo ka një diplomë juridike dhe në vitin 1999 është diplomuar në Institutin e Teknologjisë në Athinë, Departamenti i Administrimit të Biznesit. Znj. Balluku ka një sërë kualifikimesh të tjera në fushën e sigurisë së aviacionit, telekomunikacionit, burimeve njerëzore, menaxhimit të pushtetit vendor dhe institucioneve drejtuese sociale.

Kontributet e zonjës Balluku në fushën e aviacionit shqiptar janë vlerësuar vazhdimisht nga partnerët ndërkombëtarë. Ajo ka promovuar bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë fqinje dhe integrimin e ALBCONTROL në organizatat europiane. Zonja Balluku ka gjithashtu një përvojë të gjerë në fushën e telekomunikacionit, ku ka punuar në nëntor të vitit 2000, menjëherë pas privatizimit të kompanisë më të madhe shtetërore të telefonisë celulare AMC, tashmë ONE Telecommunications.

Znj. Balluku ka mbajtur poste të larta drejtuese, fillimisht si Drejtoreshë e Kujdesit ndaj Klientit, ku themeloi për herë të parë në Shqipëri shërbimin Call Center dhe më pas Drejtore e Marketingut. Gjatë kësaj periudhe dinamike për AMC-në, znj. Balluku ka qenë pjesë e bordit vendimmarrës.

Në vitin 2004, zonja Balluku iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më pas si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Gjatë kësaj periudhe, ajo drejtoi zhvillimin e strategjive të komunikimit me publikun dhe median.

Ajo ka qenë pjesë aktive e krijimit të ndërfaqes së pritjes dhe më pas ka menaxhuar me sukses koordinimin mes kryetarit të bashkisë dhe drejtorive ekzekutive të Bashkisë së Tiranës.

Që nga viti 2006, zonja Balluku është një pjesë jetike e Partisë Socialiste. Znj. Balluku ka kontribuar vazhdimisht në fushatat e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë sociale duke marrë pjesë në projekte dhe nisma komunitare.

 

Fraksion.com