AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha për reformën territoriale: Rama centralizoi pushtetin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot në Fier një bashkëbisedim me qytetarë dhe ekspertë, në lidhje me reformën territoriale.

Berisha u shpreh në fjalën e tij se, “Edi Rama përdori reformën territoriale për parime të kundërta që duhej përdorur”.

“Nëse pushteti vendor ka parim themelor decentralizimin dhe autonominë, ai përdori centralizimin e këtij pushteti. Sot në Fier, në çdo qark, rreth, ke me qindra zona, fshatra, që nuk përfaqësohen nga asnjë këshilltar. Zëvendësoi të zgjedhurit e njësive administrative, me të emëruarit e partisë, të cilët nuk u japin qytetarëve asnjë llogari. I japin vetëm atij që i emëron. Ju jeni njerëz politikë dhe alfa e demokracisë fillon me votën dhe përfaqësimin. Ky, këto i shkatërroi nëpërmjet reformës në qeverisjen vendore. Përveç kësaj, në mënyrën më jo demokratike, i la bashki, të gjitha ato që donte dhe sot Gjirokastra me 120 mijë banorë ka 7 bashki, kurse Tirana me mbi 1 milion banorë ka gjithsej 4 bashki. Ky është koncepti i Edi Ramës. Ndaj ai përbën një rrezik të madh kombëtar”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi se, “Rama është armiku më i madh i shqiptarëve pas Enver Hoxhës”.

“Duhet të përballemi me armikun më të keq të lirisë së shqiptarëve pas Enver Hoxhës deri sot, që është Edi Rama. Të shpallësh një kundërshtar armik nuk është e përshtatshme, por një kundërshtar që shkelmon dhe dhunon votën e qytetarëve, që ju heq anëtarëve të partisë së tij të drejtën e votës, dhe krijon një parti që nuk voton, e cila në të gjitha variantet s’mund të jetë kurrë demokratike. Mund të jetë ekstremiste e majtë, mund të jetë naziste apo fashiste, por vetëm parti e një harku kushtetues demokratik nuk mund të jetë. Këtu e ka sjellë Edi Rama shoqërinë shqiptare. Ai nuk është më pak armik i demokratëve se sa është i vetë socialistëve që besojnë në lirinë, votën dhe rregullat e demokracisë”, tha Berisha.

Berisha shtoi se, “Rama qëndron në pushtet në mënyrë të paligjshme”.

“Edi Rama përbën rrezik të madh kombëtar. Vazhdoi me dhunimin e votës, vazhdoi me patronazhistët. Vazhdoi me përdorimin e të gjithë shtetit për votën. Vazhdoi me bandat, terrorin dhe sot qëndron në pushtet në mënyrën më të paligjshme që mund të qëndrojë një njeri. Ne jemi të angazhuar në një betejë shumëplanëshe”, u shpreh ai.

Berisha më tej foli edhe për projektin e “Ballkanit të Hapur”.

“Ai insiston te Ballkani i Hapur. Ne e kundërshtojmë Ballkanin e Hapur si një projekt të cilin Aleksandar Vuçiç, jo Sali Berisha, e deklaroi një javë pasi u firmos në Novi Sad, është Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë. Këtu, ata që kanë lexuar e kujtojnë se si në ’45 Enver Hoxha bënte gjithçka për ta shndërruar Shqipërinë në ‘Republikë të shtatë’. Dhe Vuçiç u thotë serbëve se kjo është Jugosllavia e vjetër + Shqipërinë. Kurrë nuk do ta pranojmë. Përveç se Shqipëria shndërrohet në një vasal, shkatërrohet përfundimisht prodhimi bujqësor në Shqipëri. Edhe kështu është në shkatërrim e sipër e po ndjehen pasojat që në fillim. Janë rritur importet bujqësore serbe 250 % nga vjet sivjet. Në një kohë kur fermerët tanë djersijnë, kalben prodhimet, u falimentojnë serrat, baxhot, pra rrokullisen. A mund të pranohet ky akt antikombëtar i Edi Ramës? Kurrë!”, tha Berisha.

Sa i përket shpalljes “non-grata” nga Mbretëria e Bashkuar, Berisha u shpreh se , është një akt i tmerrshëm korruptiv i George Soros dhe Edi Ramës.

“Ju e morët vesh se para 3 ditësh njoftohem se jam shpallur non grata. Mund t’ju them një gjë, Hasan Zyko Kamberi ishte gjeni kur shkruante: “Me para ia hyn qabesë, shemb vakëfin e Fatimes”! Ky miqtë e mi është një akt i tmerrshëm korruptiv. Mbetem i vendosur të luftoj për ju korrupsionin me të gjithë forcën tim nga cilido qoftë. Akti vjen në vazhdim të një akti të lobuar në mënyrë korruptive nga Soros dhe Edi Rama gjatë të cilit 1 vit rresht nuk nxorën një fakt të vetëm dhe ju jap fjalën se edhe për 100 vjet nuk nxjerrin dot një fakt të vetëm. Pas këtij ju duhej edhe një tjetër akt që thonin se e ka bërë edhe Britania. E gjithë bota po ta bëjë mbi bazë korrupsioni do ta denoncoj. Asgjë s’më tërheq mua nga kauza e drejtë e përbashkët, lufta kundër korrupsionit e Edi Ramës, lufta kundër korrupsionit të qeverisë, lufta kundër bandave dhe krimit. Por këto nuk janë agjenda jonë. Agjenda jonë është rrëzimi i kësaj qeverie”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu theksoi se kryeministri Edi Rama shkarkoi sot zv/kryeministrin Arben Ahmetaj për inceneratorët.

“Ndodhin vjedhje që nuk njohin kufi. Sot shkarkoi Arben Ahmetajn për një aferë e cila ka 5-6 vjet që zien. Janë 420 milionë euro. Pyesni pak për inceneratorin e Fierit, 32 milionë euro që nuk ekziston, i Tiranë 189 milionë euro nuk ekziston. Ndërtohet bypass i Fierit me 2.3 milionë euro kilometri sepse e ndërtojnë Bankat Europiane. Ndërtohet një rrugë nga tuneli i Krrabës në Farkë, 30 milionë euro. Ndërtohet në Tiranë zgjerimi i unazës, 22 milionë euro. Vjedhje, vjedhje pas vjedhje. Janë taksat tuaja. Dhe ne duhet t’i japim një përgjigje të merituar atij për këto, shumë shpejt”, u shpreh Berisha.

 

Fraksion.com