A do dëmtohet uniteti perëndimor ndaj Ukrainës nga rënia e Draghi-t në Itali?
Nga Jason W.Davidson
Dorëheqja e Mario Draghit si kryeministër i Italisë, mund të duket si një ngjarje pa shumë peshë në skenën globale. Tek e fundit ai ka shumë të ngjarë të udhëheqë një qeveri të përkohshme deri në shtator, kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Për më tepër, figurat kryesore të së djathtës italiane – e cila pritet të triumfojë në zgjedhjet e ardhshme – kanë shprehur mbështetje për Ukrainën që nga fillimi i pushtimi rus më 24 shkurt. Por një analizë me e detajuar mbi skenën politike italiane, tregon se pozicioni i Italisë ndaj Luftës së Ukrainës, ka të ngjarë të ndryshojë ndjeshëm për shkak të dorëheqjes së Draghi–t.
Dhe një ndryshim në qëndrimin e Italisë ndaj luftës, do të jetë pa asnjë dyshim një goditje serioze për pozicionin e unifikuar të Perëndimit në mbështetje të Ukrainës. Mario Draghi, ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, u betua si kryeministër i Italisë në shkurtin e vitit 2021 për të udhëhequr një qeveri të unitetit kombëtar.
Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës një vit më vonë, Draghi mori një qëndrim të vendosur në favor të Ukrainës dhe kundër Rusisë. Italia ndihmoi në forcimin e krahut lindor të NATO-s, ofroi ndihmë për Ukrainën, dhe mbështeti vendosjen e sanksioneve të ashpra kundër Rusisë, ndonëse historikisht ky vend ka pasur një marrëdhënie të fortë tregtare me Rusinë, dhe është shumë i varur nga nafta dhe gazi rus.
Treguesi më i mirë i rëndësisë së Italisë në reagimin perëndimor ndaj luftën Rusi-Ukrainë, ishte vizita e Draghit në Kiev në qershor, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz. Dorëheqja e Draghit, ka të ngjarë të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin e Italisë ndaj luftës dhe qëndrimin ndaj Rusisë.
Sondazhet aktuale, tregojnë se e djathta ka shumë të ngjarë të triumfojë në zgjedhjet e shtatorit. Udhëheqësit e partive kryesore të krahut të djathtë, kanë pasur një mbështetjeje tradicionale për Vladimir Putinin. Matteo Salvini i Leges doli njëherë në publik i veshur një bluzë me fytyrën e Putinit, dhe e ka quajtur atë “një nga liderët më të mirë në botë”.
Georgia Meloni, drejtuesja e Fratelli D’Italia, e ka lavdëruar Putinin si një mbrojtës të “vlerave evropiane” dhe “identitetit të krishterë”. Pastaj është sigurisht edhe Silvio Berlusconi, prej kohësh një nga miqtë dhe mbështetësit më të mirë të Putinit në politikën e Evropës Perëndimore.
Edhe nëse një koalicion i partive të krahut të djathtë, nuk do të fitojë një shumicë absolute në shtator, pozicioni i Italisë ndaj luftën Rusi-Ukrainë ka ende gjasa që të ndryshojë. Historikisht, publiku italian ka pasur një rrymë pro-ruse, dhe aktualisht është i ndarë se kush është fajtori për luftën që ka shpërthyer në Ukrainë.
Mediat italiane, u kanë dhënë shumë hapësirë personazheve që kanë një qasje shumë miqësore ndaj Kremlinit, dhe të cilët i kanë mbrojtur veprimet e Rusisë në Ukrainë që nga fundit i muajit shkurt. Sidomos Lëvizja Pesë Yje, një parti populiste e krahut të majtë, sulmoi kohët e fundit vendimin e qeverisë Draghi për të dërguar ndihma ushtarake në Ukrainë.
Sigurisht, kjo nuk do të thotë se qeveria e ardhshme italiane ka të ngjarë të angazhohet në njëmbështetje të plotë për Rusinë e Putinit, duke pasur parasysh edhe brutalitetin e luftës së kësaj tëfundit në Ukrainë. Por kjo do të thotë se e djathta italiane, do të ndjekë politika që e dobësojnë unitetin perëndimor kundër Rusisë.
Së pari, qeveria e ardhshme italiane ka të ngjarë të ushtrojë presion ndaj Ukrainës që të negociojë me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, edhe nëse kjo do të thotë që Kievi duhet të lëshojë territore ndaj Moskës. Në qershor, Salvini njoftoi planin e tij për një “mision paqeje” në Moskë (të cilin ai e braktisi pas kritikave nga anëtarët e qendrës së majtë në qeverinë Draghi).
Nëse Salvini do të jetë një figurë udhëheqëse në qeverinë e ardhshme italiane, ai ka të ngjarë të vazhdojë me planin e tij. Për rrjedhojë, Italia do të përforcojë palën “pacifiste” në Perëndim, në kurriz të qëndrimit të udhëhequr nga SHBA-ja, sipas të cilës vetëm Ukraina duhet të vendosë se çfarë është dhe nuk është e gatshme të pranojë.
Së dyti, një qeveri post-Draghi nuk ka gjasa të mbështesë ndonjë sanksion shtesë kundër Rusisë, sidomos për naftën dhe gazin. Megjithëse asnjëra nga partitë nuk është aktualisht në favor të largimit nga Bashkimi Evropian, Lega dhe Fratelli D’Italia janë hapur euroskeptike, por edhe
më kritikët kohët e fundit ndaj paaftësisë së qeverisë Draghi për të vendosur nën kontroll çmimet e energjisë.
Meqënëse Bashkimi Evropian kërkon një konsensus unanim përpara se të zbatojë sanksionet, kjo do të thotë se Brukseli nuk do të jetë në gjendje të shtojë më tej sanksionet kundër Rusisë në sektorin energjitik.
Së treti, Perëndimi mund të presë që një qeveri e ardhshme italiane të refuzojë të japë ndonjë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën. Sondazhet e qershorit, treguan se publiku italian regjistroi nivelin më të ulët të mbështetjes ndër vendet e G7 për “kundërshtimin ushtarak ndaj Rusisë”.
Ky pozicion, është në përputhje të plotë me qasjen pacifiste të Italisë pas Luftës së Dytë Botërore. Pa e mbështetur hapur Rusinë, zyrtarët italianë do të jenë në gjendje të argumentojnë se ofrimi i më shumë ndihmës ushtarake për Kievin, vetëm sa po ndihmon në vazhdimin e një gjakderdhjeje të panevojshme.
Së fundi, një qeveri e re post-Draghi, ka të ngjarë të fokusohet më shumë në kërcënime të tilla si terrorizmi në rajonin e Mesdheut, dhe shumë më pak tek Rusia, të cilën NATO e theksoi si një rivale kryesore edhe në Konceptin Strategjik të miratuar në samitin e fundit në Madrid.
Fokusi te terrorizmi dhe kërcënimet e tjera nga Mesdheu, janë shumë më në përputhje me frikën nga emigracioni ilegal që ka e djathta italiane, sesa shqetësimi ndaj Rusisë. Ky lloj pozicioni i Italisë, do të thellonte polarizimin midis vendeve të Evropës Lindore, të përqendruara tek kundërvënia ndaj Rusisë, dhe vendeve të Evropës Jugore, të fokusuara me tepër tek kërcënimet që vijnë nga aktorët jo shtetërorë.
Rënia e qeverisë së Mario Draghit, dhe ndryshimi i mundshëm i politikës italiane ndaj Luftës Rusi-Ukrainë, sugjeron lindjen e një sfidë të përgjithshme në qasjen e Perëndimit kundër Rusisë. Në pjesën më të madhe të Perëndimit, ka nisur të zbehet zemërimi i publikut ndaj pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia.
Me kalimin e kohës, kostot nga regjimi i sanksioneve do të rëndojnë mbi qytetarin e zakonshëm më shumë sesa reagimi emocional ndaj një lufte të largët. Qeveritë mund t’i sfidojnë ndjenjat e opinionit publik për një farë kohe.
Por sistemet politike demokratike të Perëndimit, vendosin në pushtet qeveri që përfaqësojnë vullnetin popullor. Dhe në Itali, kjo gjë ka shumë të ngjarë të çojë drejt politikave që ushtrojnë më pak presion mbi Rusinë, dhe që e dobësojnë mbështetjen për Ukrainën./National Interest
Shënim:Jason Davidson, profesor i shkencave politike në Universitetin Mary Washington.
Fraksion.com