Sulmet kibernetike/ Rama-TCH: Mos përhapni lajme të rreme; Top Channel, nuk reagon, lajmi qëndron ende në portal
Në një dalje për mediat kryeministri Edi Rama duke folur për sulmet kibernetike ndaj portaleve qeveritare, iu drejtua Top Channelit duke thënë se ka përhapur lajme të rreme në lidhje me këtë çështje, duke iu referuar lajmit se ndaj qeverisë është vendosur një gjobë 30 milionë euro nga hakerat, në mënyrë që të kthehet sistemi.
“Është shumë e rëndësishme të thuhet se roli i disa burimeve të informacionit, me në krye Top Channel, ka qenë një rol destruktiv dhe rol i papranueshëm për një shoqëri demokraci të informacionit dhe fjalës së lirë. Nuk e kuptojmë arsyen pse Top Channel është angazhuar edhe me gjithë thirrjen time, personalisht, publike edhe në shprehjen e shqetësimeve të drejtpërdrejta për Top Channel në një fushatë disinformimi masiv, që në kushtet kur bëhet fjalë për të dhëna, në kushtet kur bëhet fjalë për shumëçka që lidhet me bazën e shtetit, me inventarin e dokumenteve, krijon panik.
Nuk është në praktikën tonë të ndërmarrim hapa gjyqësorë ndaj mediave, por është e pamundur të gjendet se pse dhe për më tepër se si mund të adresohen, sidomos në raste të tilla, lajthitje të këtyre përmasave.
Nuk dua të bëj asnjë akuzë, as nuk dua të ngre asnjë teori konspiracioni se nuk është e nevojshme se boll e ka ngritur Top Channel dhe kush e ka ndjekur pas për të thënë gjëra tërësisht të pavërteta. “Jo është vënë një gjobë 30 milionë euro e qeveria duhet t’i paguajë, jo janë zhdukur pronat e këto e ato”.
Tërësisht të pavërteta!
Ndërkohë, duke iu thënë, edhe kanalet institucionale të informimit se këto janë të pavërteta, ju lutem, ky është një sulm, është një bombardim që nuk vjen nga qielli, por vjen përmes internetit. Një bombardim shumë i rëndë dhe koha e marrë për të ringritur të gjithë sistemet e bombarduara është në kohë rekord.
Këto janë detaje që shpresoj do t’i dëgjoni edhe nga super ekspertët amerikanë që kemi pasur në këtë proces krah për krah. Kjo është arsyeja pse unë dola sot”, tha kryeministri Edi Rama.
Ky është reagimi i dytë publik ndaj Top Channelit në lidhje me këtë cështje. Ditën e djeshme kreu i qeverisë i bëri thirrje kësaj medieje të mos përhapë panik me lajme të rreme.
Por cfarë tha Top Channel?
Në lajmin e publikuar në datën 20 korrik, Top Channel shkruan se ka mësuar se në kompjuterët e selisë qendrore të AKSHI-t dhe e albania ka dalë kjo tabelë e cila pretendohet se është e hakerave.
Në të, sipas TCH thuhet: “Të gjithë skedarët tuaj janë të koduar me enkriptim RSA 2084. Nuk është e mundur të rikuperoni skedarët tuaj pa një çelës privat. Duhet të na telefononi për të marrë të gjithë çelësat privatë për të gjithë PC e prekur”. Lajmi i plotë:
“Më pas janë publikuar disa numra telefoni shqiptarë. Këta numra janë të krerëve të shtetit shqiptar dhe familjarëve të tyre dhe jo të hakerave. Në këtë mënyrë mesazhi kërkon të japë një sinjal të qartë politik për qëndrimin e shtetit shqiptar.
Mesazhi mbyllet edhe me një koment që ngre shumë dyshime.
Në të thuhet: “Pse duhet të shpenzohen taksat tona në dobi të terroristëve të Durrësit”.
Në këtë mënyrë hakerat kanë dashur të tregojnë lidhjen e tyre me shtetin iranian që prej kohës ka futur Shqipërinë në listën e vendeve jo mike për shkak se strehon anëtarët e opozitës iraniane.
Por mesazhi i dytë ngre dyshime të tjera. Burimet i thanë Top Channel se në një mesazh të dytë ka shkuar pranë AKSHI-t ku janë kërkuar si shpërblim 30 milionë euro në bitcoin.
Hakerat kanë kishin bllokuar të dhënat e shtetit shqiptar me sistemet më të vështira për t’u zbërthyer. Ndërkohë mësohet se virusi i përdorur fshin dokumentet dhe numri i kompjuterëve të prekur është shumë i madh.
Pas sulmit, një seri mesazhesh kanë mbërritur në numrat e telefonit të shumë qytetarëve shqiptare. Këto janë disa prej tyre ku jepen mesazhe politike kundër shtetit shqiptar që po ndihmon opozitën iraniane.
Pas thirrjeve të kryeministrit Edi Rama,Top Channel, nuk ka bërë asnjë reagim, ndërsa lajmi qëndron ende në portal./L.F-dritare.net
Fraksion.com