Mediu: Dick Marty, koka e lëvizjeve që ka bërë Rusia dhe Serbia në dëm të Kosovës
Kryetari i grupit parlamentar “Për Demokraci dhe Integrim”, Fatmir Mediu deklaroi sot se siguria në rajonin e Ballkanin nuk është e garantuar me atë që po ndodh në Serbi dhe me të gjitha tratativat që po bën Rusia dhe Serbia.
Në fjalën e tij në Kuvend, Fatmir Mediu u shpreh se, Dick Marty është koka e lëvizjeve që ka bërë Rusia dhe Serbia në dëm të Kosovës.
“Kam shpresuar që në këtë parlament të dimë të ndajë vijën e kuqe dhe vija e kuqe është interesi kombëtar. Duke mos njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndarë Malin e Zi, duke krijuar një situatë tjetër, problemet në Ballkan janë tendenca për të krijuar rrethana të tjera dhe kanë të bëjnë me interesin kombëtar. Në shënjestër nuk është vetëm Kosova por të gjithë shqiptarët. Për të na bërë fajtor për ngjarje të pavërteta të ndërtuara në Rusi dhe Beograd. A është e mjaftueshme vetëm thjeshtë të përdorim këtë retorikë, a mjafton kjo rezolutë për t’i dhënë përgjigje gjenocidit serb”, tha ai.
Mediu shtoi se, duhet të kemi kurajo të pranojmë të vërtetë.
“Nuk duhet të ndahemi kur bëhet fjalë për interesa dhe për drejtësinë e luftës në Kosovë. Të bashkohemi dhe t’i japim mundësinë të pajisen me pasaporta shqiptare. Këtë duhet ta bëjmë se janë shqiptarë dhe t’i ofrojmë lehtësime. Dick Marty është koka e të gjitha lëvizjeve që ka bërë Rusia dhe Serbia në dëm të Kosovës. Duhet të dënohen ata që kanë bërë krime në Kosovë dhe jo ata që kanë mbrojtur lirinë. Siguria në rajonin e Ballkanin nuk është e garantuar me atë që po ndodh në Serbi dhe me të gjitha tratativat që po bën Rusia dhe Serbia. Ne si vend i NATO-s duhet ta shtrojmë çështjen më serioze. Nuk është vetëm atribut i qeverisë, por duhet të ulemi dhe të dëgjojmë dhe veprojmë me njëri-tjetrin”, tha Mediu.
Fraksion.com