AktualitetPolitikëTë fundit

Gjenocidi serb, Majko: Nuk e kam kuptuar pse na bashkon lufta dhe na ndan kaq egër paqja

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko tha sot se “rezoluta që propozon PS në mbrojtje të UÇK dhe drejtuesve të saj nga njollosja e raportit të Dick Marty ka kuptimin e vazhdimësisë së qëndrimeve të mbajtura dhe jo atë të rishkruajtjes”.

Në fjalën e tij në gjatë diskutimeve në seancën e sotme plenare të Kuvendit të projektrezolutës së propozuar nga Partia Socialiste ‘Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri’, Majko tha se  “në komisionin e politikës së jashtme pati diskutim për faktin se në Kuvend janë depozituar edhe dy kërkesa nga deputetët e PD-së për miratimin e rezolutës për gjenocidin e kryer në Kosovë. Këto kërkesa të Partisë Demokratike, vinin në pikëpyetje qëndrimin e mëparshëm të shtetit shqiptar për këtë çështje. Rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë janë platforma ku e kaluara informon të tashmen dhe jo një gjendje emocionale për të vënë në provë njëri-tjetrin”.

“Opozitës iu propozua që qëndrimet e saj për gjenocidin t’i përfshinte në rezolutën që është sot për diskutim. Ky propozim nuk u pranua”, tha Majko.

Majko u shpreh se “në janar të 1999 ndodhi masakra e Reçakut nga ushtria serbe ajo tronditi të gjithë botën shqiptare. Megjithëse në një krizë politike ekstreme kuptuam se duhet të dilnim nga dhoma e egoizmit të politikës, përballë masakrës së shqiptareve të Kosovës shtrënguam duart me opozitën dhe përgatitëm vendin për luftë. Të djathtë dhe të majtë u bëmë bashkë përballë konfliktit, i cili u konsiderua më seriozi pas luftës së dytë botërore”.

Sipas tij, konflikti shqiptaro-serbë nuk ka filluar me konfliktin e Kosovës të vitit ’99.

“Nga traktati i Versajës të vitit 1918 deri në firmosjen e marrëveshjes së Rambujesë në 18 mars 1999, për marrëdhënien shqiptaro-serbe është besuar variant serb i tregimit të historisë për 90 vjet publiku ndërkombëtar është ushqyer me statusin e gënjeshtrës. Si vazhdim i kësaj tradite raporti i Dick Marty akuzoi UÇK për vrasje të personave për trafikim të paligjshëm të organeve. Ky ishte një mashtrim në kufijtë e mallkimit për të thyer luftën për liri të shqiptarëve”, nënvizoi Majko.

Majko u shpreh se “gjatë luftës së Kosovës Shqipëria vendosi një bashkëpunim zyrtar me kryeprokurorin e Hagës. Në Shqipëri me kërkesë të institucioneve të saj u vendos një mision i posaçëm i Hagës për hetimin e krimeve të luftës. Përpjekjes së opozitës sot për të nxitur përpjekje emocionale se socialistët nuk pranojnë gjenocidin në Kosovë i mungon kuptimi”.

“Ndarja jonë sot ka një dëgjues të interesuar konflikti shqiptaro-serb nuk mund të shpjegohet pa praninë e Moskës. Politika ruse ka nxitur vazhdimisht në interes të pranisë së vet në rajon konfliktin mes shqiptarëve dhe serbëve. Sot marrëdhënia për të cilën duhet të shqetësohemi më shumë është ajo që lidh Beogradin me Moskën, diplomacia ruse kohët e fundit ka lënë mënjanë protokollet e diplomacisë. Si Putin edhe ministri i tij Lavrov janë marrë së fundmi me shqiptarët përtej faktit se kombi ynë i vogël nuk i ka standardet e ariut në gjeopolitikë”, tha Majko.

Majko bëri të ditur se “Republika e Shqipërisë hapi dyert për mbi 700 mijë shqiptarë dhe deklaruam se ishim të hapur për të pritur edhe 1 milion. Pavarësisht kësaj nuk e kam kuptuar pse na bashkon lufta dhe na ndan kaq egër paqja”.

 

Fraksion.com