AktualitetBota+Të fundit

Zonjat e Para të SHBA-ve dhe Ukrainës takohen në Uashington

Zonja e Parë e SHBA-ve Jill Biden priti të martën në Shtëpinë e Bardhë për një takim Zonjën e Parë të Ukrainës Olena Zelenska.

Takimi më i fundit mes tyre ndodhi gjatë vizitës së paparalajmëruar të zonjës Biden në Ukrainën perëndimore, në muajin maj, vizitë gjatë së cilës ato vizituan një shkollë dhe iu bashkuan një grupi fëmijësh që po përgatisnin dhurata, me rastin e ditës së nënës.

Presidenti Joe Biden i dhuroi zonjës së parë ukrainase një buqetë me lule, me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë tha se zonja Zelenska po viziton Uashingtonin “për të nënvizuar koston njerëzore të agresionit rus në Ukrainë. Në takimet me zyrtarët amerikanë pritet të diskutohet rreth mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për qeverinë e Ukrainës dhe popullin e saj, në mbrojtje të demokracisë, si dhe mbi përballjen me pasojat e mëdha të luftës, pasoja që do të ndihen për vite me radhë“.

Zonja Zelenska u takua të hënën me Sekretarin amerikan të Shtetit të Antony Blinken.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se zonja Zelenska dhe zoti Blinken biseduan mbi “kostot e mëdha njerëzore e në rritje të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë”. Ai vuri në dukje se zoti Blinken theksoi përkushtimin e SHBA-ve për të mbështetur Ukrainën.

Sekretari Blinken përgëzoi punën e Zonjës së Parë Zelenska për të ndihmuar ukrainasit e prekur nga lufta“, tha zoti Price. “Ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për Ukrainën në mënyrë që t’i përgjigjet sfidave të rëndësishme ekonomike dhe humanitare, përfshirë mbështetjen e iniciativës së zonjës së parë mbi shëndetin mendor, për qytetarët e prekur nga lufta“.

Zonja Zelenska pritet të shkojë të mërkurën në Kapitol ku do të mbajë dhe një fjalim përpara ligjvënësve./voa

 

Fraksion.com