AktualitetTë fundit

Rama: Sulm superkibernetik mbi e-Albania, NATO pjesë e mbrojtjes dhe e kundërsulmit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se platforma e-Albania është rikthyer në punë për pjesën më të madhe të shërbimeve, ndërsa informoi se po vazhdon puna për rikthimin e pjesës tjetër të tyre.

“Jemi në kushtet e një sulmi superkibernetik që ka përfshirë në procesin e mbrojtjes dhe kundërsulmit NATO-n. Për të kundërsulmuar po punohet me një skuadër përtej skuadrës sonë“, tha ai gjatë një takimi me drejtuesit e rinj të PS të 61 bashkive të vendit.

Kryeministri theksoi se dy janë shtetet që dyshohet se kanë sulmuar, teksa siguroi se sistemet nuk kanë ceduar dhe se nuk janë zhdukur të dhëna.

“Platfoma është rikthyer në punë në pjesën më të madhe të shërbimeve. Po vazhdon puna për rikthimin e një pjese tjetër të shërbimeve, pas një sulmi shumë kompleks, që ne besojmë, ekspertët besojnë, se është një sulm i organizuar nga një shtet. Nuk është çështje hakerash, sado të fortë. Është një shtet pas këtij sulmi. Nuk jemi në gjendje të identifikojmë me bindje të plotë shtetin. Dy janë shtetet që dyshojmë. E them këtë për të thënë se sulmi është jashtëzakonisht kompleks dhe agresiv. Sistemet nuk kanë ceduar në aspektin e shkatërrimit të tyre. Nuk janë zhdukur të dhënat e shtetit”, deklaroi Rama.

Rama tha se ndërhyrjet kanë ndodhur në sistemin e email-eve të domenit gov.al.

Kryeministri nga ana tjetër, i cilësoi si të neveritshme lajmet që qarkulluan në medie për gjobëvënie të hakerave ndaj qeverisë.

“Sistemet kanë filluar të rikthehen në punë. E neveritshme të shikosh se mediet kanë arritur aty ku s’thuhet nga pikëpamja e lëshimit të lajmeve të rreme, pa lidhje. U detyrova të bëj prononcim vetë për “Top Channel”. E paimagjinueshme të shpifet pa hesap, pa asnjë lloj logjike, duke iu thënë njerëzve se është vënë gjobë ndaj qeverisë, janë zhdukur të gjitha të dhënat, etj, a thua se këtu jemi përballë një bande digjitale që vë gjoba. Se banda digjitale që vë gjoba në Shqipëri ka, por nuk jemi në këto kushte”, tha Rama.

Kryeministri, po ashtu vuri në dukje se shërbimet online kanë bërë që gjithë ajo pjesë e korrupsionit, ryshfetit apo padrejtësisë, të zhbëhet, pasi tanimë nuk ka nevojë për të njohur njeri për të marrë shërbime.

 

Fraksion.com