Rama me drejtuesit e rinj: PS të jetë zëdhënëse e shumicës qeverisëse në territor
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste duhet të mobilizojë forcat që të jetë një parti zëdhënëse e shumicës qeverisëse në territor, ndërmjetëse mes shumicës qeverisëse dhe zgjedhësve, dhe llogarikërkuese në funksion të atyre problemeve halleve e shqetësimeve që konstaton në këtë kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit.
Rama zhvilloi një takim me drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste, pas përmbylljes me sukses të garave për përzgjedhjen e tyre, në të 61 bashkitë e vendit.
“Të jetë një partë që përçon, qoftë shqetësimet dhe qëllimet dhe vendimet e rëndësishme të shumicës qeverisëse, por nga ana tjetër të përcjellë dhe shqetësimet, kërkesat dhe hallet e njerëzve që i besojnë kësaj shumice. Të jetë një parti e territorit, jo një parti e mbyllur brenda një rrethi njerëzish, që bëjnë çmos të zgjidhen dhe pasi zgjidhen, rrinë vetëm me njëri-tjetrin dhe bëhen si grup shokësh dhe që flasin vetëm me njëri-tjetrin dhe jo me të tjerët”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama tha se këta të zgjedhur përmes një metodologjie të re do të drejtojnë partinë në prag dhe drejt një sfide të rëndësishme si ajo e zgjedhjeve vendore vitin e ardhshëm.
“Këta drejtues do të jenë edhe para një sfide edhe më të rëndësishme, atë të transformimit të partisë në diçka tjetër, që t’i përgjigjet kohës së re që jetojmë, ndryshimeve të rëndësishme që ndodhin në mënyrë të vazhdueshme dhe që i përgjigjet një nevoje të jashtëzakonshme për të mbajtur sa më pranë njërëzit që na kanë besuar, na besojnë dhe duam të na besojnë“, u shpreh kryeministri Rama.
Rama tha se drejtuesit e rinj duhet të punojnë në sensin e largimit sa më shumë nga ai aksi i vjetër, i konsumuar, i një partie të dedikuar si një hapësirë ankesash se nuk gjejnë punë në shtet.
Fraksion.com