AktualitetPolitikëTë fundit

“Opozita në hendek”; Berisha: Ka frikë! Mohimi është forma ekstreme e lepurit në bark

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili justifikoi mungesën dje të opozitës në Bruksel se ‘nuk di kush është kush’.

Sipas Berishës, mohimi nga ana e Ramës është shenjë e frikës.

“Mohimi është forma ekstreme e lepurit në bark. Frikës”, shkruan Berisha mbi videon ku shfaqet kryeministri.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama deklaroi gjithashtu edhe  sot në fjalën e tij në ceremoninë e ngritjes simbolike të flamurit të Evropës pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian se, “do të kisha dashur shumë që sot të mund të ishte këtu dhe opozita, jo thjesht sepse jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, por sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me BE-në, natyrshëm kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës.

Mirëpo sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh, mes një pjese të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të BE, me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë, dhe një pjese tjetër e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtar dhe këta të dytët edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët.

Kështu që hë për hë do të bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër s’bëjmë dot edhe po të duam”.

Fraksion.com