“Kërkohet një nivel i ri marrëdhëniesh”; Rama: Opozita ndodhet në një hendek…
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me BE-në, natyrshëm mes qeverisë dhe opozitës.
Në fjalën e tij në ceremoninë e ngritjes simbolike të flamurit të Evropës pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Rama tha se, “do të kisha dashur shumë që sot të mund të ishte këtu dhe opozita, jo thjesht sepse jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, por sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me BE-në, natyrshëm kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Mirëpo sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh, mes një pjese të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të BE, me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë, dhe një pjese tjetër e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtar dhe këta të dytët edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët. Kështu që hë për hë do të bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër s’bëjmë dot edhe po të duam”.
“Të them të drejtën do të kisha dashur shumë po ashtu që përveç ftesës protokollare dhe fjalëve të mirëseardhjes të mos ishte nevoja të bëja më shumë në drejtim të miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Mirëpo rruga e mundimshme, kthesat dhe ndalesat e saj, të tatëpjetat e vështira dhe rrëshqitjet e pashmangshme të saj më kanë bërë më shumë se njëherë dëshmitar të faktit se kjo arritje historike do të mund të mendohej pa ndihmën e tyre aq sa ç’mund të mendohet reforma në drejtësi pa mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë SHBA dhe BE”, theksoi Rama.
“Ideja se Shqipëria dhe shqiptarët mund të bëjnë edhe pa ata, mund të nxjerrin dhëmbët e ndryshkur të një sovranizmi katundaresk dhe t’i rihipin kalit të xhike Qamilit për ta katandisur Shqipërinë në leckën që fshijnë njollat dhe mëkatet e tyre, është thjeshtë shëmbëlltyra e marrëzisë ballkanike, që bie ndesh me gjithçka BE mishëron, si vizion i të ardhmes, si frymë lirie, paqeje dhe sigurie dhe si gërmë e rendit ligjor të shoqërisë”, tha Rama.
“Unë e di mirë se mes përfaqësuesve të vendeve mike dhe aleate këtu të pranishme ka disa që i gëzohen kësaj arritjeje historike më shumë se disa syresh mes gjindjes sonë që nxijnë si shpirti i tyre. Prandaj dhe jo vetëm dua t’i falënderoj sot me mirënjohje dhe me konsideratën më të veçantë, për gjithçka bënë pa u lodhur që negociatat për anëtarësim të hapen dhe Shqipëria të ngjitet më lart në rrugën drejt majës ku populli shqiptar meriton, por dua edhe t’u kërkoj ndjesë, për gjithçfarë u kanë dëgjuar veshët nga gojët e shthurura të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
“Kujtoj këtu sot me respekt të veçantë, ambasadoren Romana Vlahutin, ambasadorin Donald Lu si dhe ambasadorin Luigi Soreca, emrat e të cilëve lidhen pazgjidhshmërisht me këtë sukses historik të Shqipërisë, pavarësisht pranisë të tyre fizike këtu me ne. Shumë faleminderit të gjithëve ju që përfaqësoni në Shqipëri miqtë, aleatë, partnerët tanë të çmuar”, theksoi Rama.
“Dikush me siguri do të thotë se sot mund t’i evitoja disa prej fjalëve që thashë deri këtu, por nuk e pata të mundur sepse ngritja ceremoniale e flamurit të BE-së në ballin e kësaj godine nuk është simbolizimi i fundit të një beteje historike si kjo për Shqipërinë evropiane, por është vetëm përshkallëzimi i kësaj beteje”, tha Rama.
Fraksion.com