e-Albania rikthehet në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike
Pas sulmit të rëndë kibernetik me të cilin po përballet që prej të premtes të javës së shkuar, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bëri të ditur se platforma e-Albania është rikthyer në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët shqiptarë.
Sipas AKSHI-t tashmë mund të gjenerohen sërish nga platforma digjitale dokumentet me vulë elektronike, certifikatat e gjendjes civile, vërtetimet tatimore, ekstraktet dhe certifikata e regjistrimit të biznesit, vërtetimet e papunësisë dhe certifikata e gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit).
Po ashtu, bëhet e ditur se do të mund të aplikohet për regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të nxënësve, si dhe shërbimet e regjistrimit të biznesit, etj.
AKSHI, informon se për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, portali e-Albania, për arsye të larta sigurie, do të bëhet funksional së shpejti.
Ndërkaq, AKSHI së bashku me skuadrën e Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”, po vijojnë punën me intensitet të plotë për t’ju kthyer qytetarëve edhe shërbimet e regjistrimeve dhe të ndryshimeve të pronarëve përfitues, vërtetimin e ndihmës ekononomike, pagesës së paaftësisë së kufizuar dhe kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social, për shërbimet e rezervimit të takimit për kryerje konsulte e ekzaminimi mjekësor, për listën e notave dhe vertetimin e diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës, për shërbimet konsullore, për shqiptarët jashtë vendit, shërbimet e certifikatave të regjistrimit të objekteve të pronësisë industrial, njehsimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja, si dhe për kryerjen e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.
AKSHI siguroi qytetarët se do të vijojë punën deri në rikthimin në funksion të plotë të çdo shërbimi.
Fraksion.com