AktualitetBota+Të fundit

Zonja e Parë e Ukrainës në SHBA për takime të nivelit të lartë

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, është duke realizuar një vizitë në Shtetet e Bashkuara për një seri të takimeve të nivelit të lartë.

Përgjatë vizitës, ajo do t’i drejtohet edhe Kongresit amerikan.

Vizita e saj vjen katër muaj pasi burri i saj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pati bërë një fjalim virtual në Kongres, duke bërë thirrje për më shumë pajisje ushtarake.

Zelenska është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe pritet të takohet edhe me homologen e saj amerikane, Jill Biden të martën, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Ajo pritet t’i adresohet Kongresit ditën e mërkurë.

Takimi i së martës do të jetë i dyti mes zonjave të shtetit, pasi zonja Biden pati bërë një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë në muajin maj.

Zelenska nuk ka portfolio zyrtare në Qeverinë ukrainase.

Mirëpo pasi gati pesë muajve të luftës së Rusisë në Ukrainë, Kievi është në kërkim të ndihmës më të madhe nga SHBA-ja.

Kongresi amerikan tashmë ka miratuar ndihmë në vlerë të 40 miliardë dollarëve në Ukrainë, që pritet të dorëzohet deri në fund të muajit shtator.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

 

Fraksion.com