AktualitetTë fundit

Sulmi kibernetik, Kryeministria: Kundërofensiva e AKSHI-t dhe aleatëve po ecën me ritme të shpejta, rikthehen disa shërbime

“Kundërofensiva e AKSHI-t dhe aleatëve ndaj sulmit kibernetik po ecën me ritme të shpejta dhe në përputhje me planin e emergjencës”, njoftoi sot zyra për shtyp e Kryeministrisë.

Kryeministria theksoi se, “pas një pune të jashtëzakonshme, prej 96 orësh papushim, nga ekipi i inxhiniereve dhe ekspertëve IT të AKSHI-t, ndihmës së skuadrës së Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të “Jones Group International”, po kthehemi në normalitet”.

“Faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit janë rikthyer në funksion të plotë brenda 12 orësh”, bëri të ditur Kryeministria.

“Që prej ditës së djeshme është kthyer në funksion të plotë: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor me sistemin e lejeve të drejtimit dhe sistemin e targave; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e recetës elektronike; Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me sistemin e barnave”, thuhet në njoftim.

“Po punohet me intensitet për kthimin një e nga një të të gjitha shërbimeve që ofrohen në e-Albania dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të sistemeve të tjera”, njoftoi Kryeministria.

“Ndjekja e protokolleve të reagimit ndaj sulmeve kibernetike, izolimi i menjëhershëm i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare, që në momentet e para, bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura. Kjo rezultoi kundërpërgjigja e duhur ndaj këtij sulmi masiv të pandodhur kurrë më parë ndaj vendit tonë”, bëri të ditur Kryeministria.

“Falenderojmë çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin dhe mirëkuptimin në përballjen me këtë armik kibernetik të përbashkët. Siguria kibernetike dhe ofrimi i shërbimeve publike online ka qenë dhe do të mbetet prioriteti ynë”, përfundoi njoftimi i Kryeministrisë.

 

Fraksion.com