Meta: Falcone dhe Borsellino, frymëzim për të dërrmuar mafien dhe rikthyer besimin tek drejtësia
Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujtoi sot vdekjen e prokurorit italian Paolo Borsellino, i vrarë në një atentat nga mafia italiane.
“Kush ka frikë vdes çdo ditë. Kush nuk ka frikë vdes vetëm një herë!” citoi Meta një thënie.
“Si sot, 30 vite më parë, Paolo Borsellino, si ai më herët dhe Giovanni Falcone, e pagoi me jetë luftën e drejtë kundër mafies, për të na kujtuar gjithmonë se vetëm të bashkuar në mbrojtje të shtetit ligjor dhe dinjitetit njerëzor mund t’i çlirojmë shoqërinë dhe institucionet nga kapja prej krimit të organizuar”, u shpreh Meta në një postim në rrjetet sociale.
“Sakrifica e tyre është frymëzim për të dërrmuar mafien në çdo nivel dhe rikthyer besimin e qytetarëve tek Drejtësia!”, tha Meta.
“Edhe sot Falcone dhe Borsellino frymëzojnë të gjithë prokurorët, gjyqtarët dhe politikanët e ndershëm për të mposhtur mafien dhe mbrojtur lirinë kudo në botë”, theksoi Meta.