AktualitetEkonomiTë fundit

Kuponi i obligacioneve 10 vjeçare arrin në 6.25%, niveli më i lartë që prej vitit 2018

Kuponi i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë shqiptare shënoi një rritje të ndjeshme në fillim të kësaj jave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kuponi i këtyre instrumenteve arriti në nivelin 6.25%, nga 5.1% që kishte qenë në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, që ishte mbajtur në janar të këtij viti.

Ndërkohë, sinjale të qarta të rritjes ishin shfaqur edhe në rihapjen e ankandit të janarit, që ishte zhvilluar në fillim të muajit prill, kur yield-i i pranuar nga Ministria e Financave ishte rritur në 5.75% (nga 5.1% në janar).

Ministria e Financave financoi me sukses një borxh prej dy miliardë lekësh, ndërsa vlera e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në rreth 2.32 miliardë lekë.

Kuponi i obligacioneve 10 vjeçare ka arritur tashmë nivelet më të larta që prej vitit 2018. Rritja e shpejtë e inflacionit e ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të nisë kursin e normalizimit të politikës monetare. Norma bazë e interesit është rritur dy herë në katër muajt e fundit dhe ka arritur nivelin 1.75%. Tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë është edhe segmenti ku rritja e normës bazë të interesit është përcjellë më shpejt, me një tendencë të qartë në rritje për të gjitha maturitetet. Kthesa e normave të interesit do të rrisë gradualisht koston e borxhit për qeverinë shqiptare, duke shtuar rreziqet e lidhura me nivelin e lartë të borxhit publik.

Banka e Shqipërisë ka dhënë sinjale të qarta se rritja e interesave do të vazhdojë përgjatë këtyre dy viteve dhe norma bazë mund të arrijë pranë nivelit prej 4% në vitin 2024. Këto pritshmëri kanë bërë që yield-et e kërkuara nga investitorët në ankande gjatë muajve të fundit të rriten ndjeshëm. Në periudhën mars-prill, tregu u karakterizua nga një ulje e kërkesës për bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare, sepse shumë investitorë preferuan të mbanin pozita pritëse, për të investuar me kthime më të larta.

Në dy muajt e fundit, kërkesa paraqitet më e normalizuar dhe yield-et që ofrojnë instrumentet qeveritare po bëhen më tërheqëse për investitorët. Duke pasur parasysh se rritja e normës bazë nuk ka ende reflektime të rëndësishme në interesat e depozitave, obligacionet afatgjata të qeverisë mund të jenë instrumente gjithnjë e më joshëse për individët që duan të maksimalizojnë kthimin nga kursimet e tyre.

Por, një logjikë e tillë mund të vlejë edhe për bankat. Kuponi prej 6.25% i obligacioneve 10 vjeçare, të paktën për momentin, është ndjeshëm më i lartë se norma e interesit të shumë produkteve të kredisë bankare. Kjo mund të sjellë një zhvendosje më të madhe të fondeve të bankave drejt instrumenteve të borxhit qeveritar, që ofrojnë kthime gjithnjë e më të larta dhe për më tepër një rrezik më të ulët në raport me huadhënien për sektorin privat./Monitor

 

Fraksion.com