AktualitetTë fundit

Policia rrugore e Tiranës pezullon 105 leje drejtimi, gjoba për mijëra shoferë mjetesh e motorësh!

Policia rrugore e Tiranës ka ndëshkuar drejtuesit e mjeteve të cilët kanë thyer  rregullat e qarkullimit rrugor.

Në këtë kuadër, gjatë një jave, u arrestuan e më pas u proceduan në gjendje të lirë 29 drejtues mjetesh, për kryerjen e shkeljeve të ndryshme.

Gjatë javës që lamë pas, u goditën 10 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer. Me këto 10 raste shkon në 100 numri i rasteve të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, të goditura që nga fillimi i këtij viti.

Janë ndëshkuar me masë administrative 993 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 371 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.

Janë pezulluar dhe 105 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur  si dhe janë vendosur 209 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

 

Fraksion.com