90 plumba u zbrazën në masakrën e Fushë-Krujës; 30 milionë lekë për këdo që jep informacion
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për masakrën e Fushë-Krujës, ku u bë atentat ndaj tre të rinjve e për pasojë mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vataj dhe Besmir Hoxhaj.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se përveç 10 personave të shoqëruar nga policia, ka dhe të tjerë kryesisht me precedentë të mëparshëm penalë që janë njohje apo lidhje e Brilant Martinaj, Diklen Vatës dhe Arbër Hoxhajt. Këta persona janë marrë në pyetje për të zbuluar lëvizjet e fundit të tre viktimave.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për News24 se janë gjetur rreth 54 gëzhoja armësh në vendin e ngjarjes dhe sipas informatave nga burimet e policisë rreth viktimave është qëlluar me rreth 90 plumba.
Ndërkohë, policia ka vënë në dispozicion një numër kontakti dhe një shumë prej 3 milionë lekësh të rinj si shpërblim për këdo që ka informacione përreth atentatorëve, por deri më tani mësohet se nuk ka pasur telefonata apo të dhëna konkrete.
“Automjeti i viktimave po i nënshtrohet ende mbikëqyrjes, pasi dyshohet se dhe tre viktimat kanë pasur armë me vete. Ka dyshime se Diklen Vata ka dalë nga automjeti për t’u vetëmbrojtur, pasi dyshohet se kishte statusin e truprojës së Brilant Martinajt”, raportoi gazetari Çelmeta.
Tre viktimat ishin në Rinas dhe po lëviznin me automjetin e tyre drejt Fushë-Krujës, ndërkohë që autorët i kanë ndjekur me një automjet të ngjashëm. Autorët prej ditësh survejonin Martinajn dhe më pas iu kanë dalë para dhe iu kanë zënë pritë duke i qëlluar me armë. Ata kanë tentuar të mbrohen, por nuk kanë pasur kohë.
Gjithashtu, policia vijon të shoqërojë persona të dyshuar, të cilët kanë precedentë të mëparshëm kriminal dhe që mund të kenë pasur konflikte të mundshme me viktimat.
Fraksion.com