Vdes Ivana Trump, gruaja e parë e ish-presidentit, ndahet nga jeta në moshën 73 vjeçare
Ivana Trump, ish-skiatorja që në vazhdim u bë sipërmarrëse dhe përfaqësonte gjysmën e një çifti të fuqishëm në vitet 1980, gruaja e parë e ish-Presidentit Donald Trump dhe nëna e tre fëmijëve të tij më të rritur, ka vdekur në Nju Jork, njoftoi të enjten familja. Ajo ishte në moshën 73-vjeçare.
Ish-Presidenti Trump shkruajti në aplikacionin e medias sociale që ka themeluar se ajo vdiq në shtëpinë e saj në Nju Jork.
“Ajo ishte një grua e mrekullueshme, e bukur dhe mahnitëse, që pati një jetë të shkëlqyer dhe frymëzuese”, shkruajti ai në rrjetin social Truth Social. Çifti pati tre fëmijë, Donald Jr, Ivank-an dhe Eric-un.
“Ishte shumë krenare për ta, ashtu siç ishim të gjithë ne krenarë për të”, shkruajti ai. “Pusho në paqe, Ivana!”.
Dy persona në dijeni të çështjes i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se policia po heton nëse Ivana Trump ka rënë nga shkallët dhe se mendon se vdekja e saj ishte aksidentale.
Ajo u gjet pa ndjenja në shtëpi pranë shkallëve, thanë dy personat. Ata nuk munden të flasin publikisht për këtë çështje dhe folën me agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti. Zyra e mjekut ligjor do të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes.
“Ka qenë një ditë shumë e trishtuar, një ditë shumë e trishtuar”, tha Eric Trump ndërsa po largohej nga shtëpia e nënës së tij në Manhattan.
Në një deklaratë, ai dhe fëmijët e tjerë e quajtën atë “një grua të pabesueshme – një forcë në biznes, një atlete e klasit botëror, një bukuri rrezatuese dhe një nënë dhe mike e kujdesshme”, si dhe një e mbijetuar.
“Ajo iku nga komunizmi dhe përqafoi këtë vend”, vazhdoi deklarata e tyre. “Ajo u mësoi fëmijëve të saj për kurajon dhe ashpërsinë, dhembshurinë dhe vendosmërinë”.
Ish-atlete e skive, me origjinë çeke, dhe ndonjëherë edhe modele, Ivana Trump u martua me presidentin e ardhshëm në vitin 1977.
Fraksion.com