“Nikolla shtyn seancën”; Debate në Këshillin e Mandateve, Bardhi: Ke dy muaj që e mbron Xhaçkën
Në Kuvend është zhvilluar mbledhja e radhës e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku është shqyrtuar kërkesa e Partisë Demokratike për t’i hequr mandatin deputetes dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Vetë ministrja nuk është paraqitur në seancën dëgjimore, por është përfaqësuar sërish nga avokati i saj, çka ka sjellë edhe “shpërthimin” e deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili tha se avokati pas fjalës së tij “iku me bisht ndër shalë” pa marrë pyetje.
Edhe deputeti Gazmend Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit , e cila e shtyu mbledhjen për një javë, ndërsa i tha se vazhdon të mbrojë Olta Xhaçkën duke e zgjatur këtë proces 2 muaj, ndërkohë që një deputete në shkelje të Kushtetutës qëndron në Parlament.
DISKUTIMET:
Enkelejd Alibeaj: Seancën e kaluar, siç unë e kisha kërkuar duhet të operonim me dëgjesën e zonjës ministre. E thirrët zonjën Xhaçka, ka të drejtën e saj që të përfaqësohet nga një avokat. Kur jepet e drejtat për të dëgjuar përfshihet e drejta për të bërë pyetje. Në mënyrë që të kuptojmë dhe ne nëse kemi të drejtë apo jo. Ju u ngritët ikët dhe kjo nuk iu bën nder. Së pari juve dhe më pas parlamentit. Të ikësh me bisht ndër shalë, nuk është pjesë e rregullores, nuk i shërben të vërtetës. E dëgjova me durim avokatin, por do të doja që t’i bëja disa pyetje. Të fshihesh nuk bëhet shërbim.
Agron Shehaj: Është e paimagjinueshme sesi kryeministri shpalli investitor strategjik bashkëshortin e ministres dhe vetë ministren por edhe përshtatja ligjore nga an e kryeministri Rama për të realizuar përfitimin e familjes Xhaçka si investitor strategjik. Ata përfitojnë faljen e taksave për 10 vjet, përfitimin e rrugës, ujësjellësit, kanalizimit, dhe për 30 vjet tokën publike. Këto shkojnë në përfitime 1 milionë euro. Kjo është arsyeja përse Xhaçka duhet hetuar nga SPAK dhe duhet hequr imuniteti nga Gjykata Kushtetuese fillimisht. Le ta shmangë Gjykata Kushtetuese këtë papajtueshmëri të zonjës Xhaçka me mandatin e deputetit.
Gazmend Bardhi: Ne jemi organ kolegjial dhe vendimet i marrim si organ kolegjial nuk i merr ti për ne. Ju keni dy muaj që e çoni këtë një javë e një javë e një javë ndërkohë që kemi një deputet
Lindita Nikolla: Jo nuk kemi dy muaj ne kemi aq sa na lejon rregullorja.
Gazmend Bardhi: Besoj se keni njoftuar zonjën Xhaçka dhe vetë avokatin për këtë seancë. Si ka ardhur pa u njoftuar ai. Është njoftuar nga kryetarja e Kuvendit për seancën e sotme dhe i kishim lënë një javë kohë që nëse kishte parashtrime të në i paraqiste sot.
Lindita Nikolla: Jo nuk na i paraqet dot sot ai. Dhe kushtet nuk i vendos dot ti.
Gazmend Bardhi: Po kush i vendos moj zonjë ti që do të mbrosh Olta Xhaçkën dhe ke dy muaj që e shtyn.
Lindita Nikolla: Jo mbledhjen e konsideroj të mbyllur!
Fraksion.com