AktualitetTë fundit

Shqipëria i bashkohet Kampionëve të Barazisë Gjinore në Rrjetin Gjyqësor

Me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Qendrën AIRE sot, Shkolla e Magjistraturës e Shqipërisë iu bashkua iniciativës për futjen e Kampionëve të Barazisë Gjinore në Rrjetin Gjyqësor.

Kjo iniciativë ka nisur në fillim të muajit prill gjatë Forumit Gjyqësor për Barazinë Gjinore në Budva, ku pjesëmarrësit theksuan nevojën për një qasje të koordinuar në trajnimin e profesionistëve gjyqësorë në lidhje me këtë aspekt në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Promovimi i barazisë gjinore është synim i rëndësishëm në të gjitha vendet e Evropës. Megjithatë, ka disa faktorë shoqërorë në Ballkanin Perëndimor që e bëjnë këtë çështje veçanërisht me rëndësi për rajonin. Dhuna e përhapur kundër grave, ekzistimi i stereotipeve gjinore, nën-përfaqësimi i grave në politikë dhe në poste të larta, si dhe impakti i COVID-19 tek gratë posaçërisht të cenueshme janë vetëm disa nga faktorët që tregojnë se përmirësimi i pozitës së grave në rajon është çështje urgjente. Gratë janë të barabarta në ligj por jo në praktikë. Zbatimi i ligjit dhe masave për arritjen e barazisë gjinore mbetet sfidë serioze, dhe gjykatat vendase si dhe ekspertët ligjorë në krejt rajonin kanë një rol jetik në trajtimin e kësaj sfide,” tha Biljana Braithewaite, Drejtoreshë e Programit të Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor.

Me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale, Qendra AIRE ka nisur bashkëpunimin me institucionet e trajnimit gjyqësor në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë, duke vendosur kështu themelet për veprimtarinë e Rrjetit. Jetësimi i kësaj iniciative është mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

“Trajnimet dhe seminaret për barazinë gjinore në Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri synojnë të ngulisin në mendjen e gjyqtarëve faktin se efektiviteti i legjislacionit për barazinë gjinore varet shumë nga zbatimi dhe interpretimi i tij, meqenëse gjyqtarët janë në pozitë strategjike për ta konkretizuar një efektivitet të tillë duke e përdorur atë në vendimet e tyre gjyqësore, veçanërisht gjatë promovimit dhe fuqizimit të të drejtave të grave”, tha Profesor Sokol Berberi.

Berberi e mbështeti iniciativën për nisjen e Kampionëve të Barazisë Gjinore në Rrjetin Gjyqësor, duke theksuar se ky është kontribut shtesë ndaj vlerave pozitive që akademitë dhe shkollat rajonale të drejtësisë kanë akumuluar gjatë shumë viteve të bashkëpunimit me Qendrën AIRE.

“Qendra AIRE është një prej partnerëve më të hershëm të Shkollës së Magjistraturës që nga viti 1999, kur u organizuan trajnimet për të drejtat e njeriut me gjyqtarë dhe prokurorë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Fuqizimi i partneritetit tonë me anë të këtij Memorandumi Bashkëpunimi riafirmon vullnetin tonë për të vazhduar punën e përbashkët drejt jetësimit të objektivave të trajnimit profesional, sepse trajnimi gjyqësor vërtet është faktor shumë i rëndësishëm në luftën kundër pabarazive dhe padrejtësive,” përfundoi Berberi.

Braithwaite i uroi mirëseardhjen Shkollës së Magjistraturës, duke e cilësuar atë si institucion i rëndësishëm në progresin e gjyqësorit në Shqipëri. Ajo theksoi se ekzistenca e Rrjetit do të vendosë themelet e bashkëpunimit mes qendrave të trajnimit gjyqësor edhe në vende të tjera.

“Rrjeti do të ofrojë mundësi për fuqizimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes gjyqtarëve dhe ushtruesve të profesionit të drejtësisë, do të ofrojë trajnime specifike me impakt praktik, si dhe hulumtime të thella dhe ndarje të njohurive, shkathtësive, përvojave dhe ideve në lidhje me barazinë gjinore, sipas një modeli të rrjetëzimit dhe mentorimit të strukturuar”, përfundoi Braithwaite.

 

Fraksion.com