Metani: 4127 ankesa në 2021, janë proceduar 11 gjyqtarë dhe 6 prokurorë
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani paraqiti sot para Kuvendit, Raportin Vjetor të veprimtarisë së institucionit që ai drejton për vitit 2021.
Në fjalën e tij, Metani u fokusua në nivelin e zbatimit të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit për Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2021, ecurinë e punës gjatë vitit 2021, sukseset, sfidat dhe prioritetet në vijim.
Ai tha se ILD ka arritur synimet e vëna si prioritet kryesor siç ishte ulja e kontigjentit prej mbi 2000 ankesash të trashëguara nga ish-KLD.
“Gjatë 2021 janë marrë 22 vendime për fillimin e hetimit disiplinor për 31 subjekte të hetimit disiplinor. 11 gjyqtarë dhe 6 prokurorë janë proceduar me masa disiplinore nga vërejtje deri në shkarkim nga detyra. Për vitin 2022, do vijojmë si prioritet trajtimin e sa më shumë ankesave, sepse për fat të keq, problematikat e 3 dekadave tranzicion reflektohen ende tek drejtësia. Qytetarët duan të shohin ndryshim në gjetjen e të drejtës së tyre përballë problematikave që hasin në sistem, në prokurori apo gjykata”, tha ai.
Metani shtoi se “4127 është totali i ankesave të administruara në ILD për vitin 2021. Vetëm gjatë vitit 2021 janë 22 vendime për fillimin e hetimit disiplinor të miratuara nga ILD për 31 subjekte të hetimit disiplinor. Nga këto, 17 raste kanë shkuar për procedim disiplinor në Këshilla, ndërsa për 4 janë mbyllur hetimet. Nga 17 kërkesa për procedim disiplinor, 10 janë hetim me iniciativë nga Inspektori i Lartë dhe 7 janë rezultat i hetimit të ankesave të depozituara. Vetë inspektimet tematike kanë prodhuar 3 procedime disiplinore, 2 prej të cilave gjatë vitit 2020 dhe 1 gjatë vitit 2021. Masat e kërkuara për gjyqtarët e prokurorët e proceduar shkojnë nga vërejtje konfidenciale deri në shkarkim nga detyra. Nga 17 kërkesat për procedim të përcjella në Këshilla, asnjë kërkesë nuk është rrëzuar, dhe vetëm për 2 kërkesa është vendosur një masë tjetër disiplinore, meritë edhe e punës skrupuloze të ekipit të Inspektorëve të Zyrës së ILD-së, pavarësisht mungesës së 18 inspektorëve”.
Në vijim, Metani tha se për viti 202, ILD-në nga rritja e bashkëpunimit me aktorë kombëtarë, ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, e cila është një monitoruese nga afër e punës së ILD-së.
“Bashkëpunimi me KLGJ-në e KLP-në ka qenë i rëndësishëm në koordinimin e standardeve uniforme për garantimin e një procesi të rregullt disiplinor e në respekt të pavarësisë së magjistratëve, njëlloj edhe shkëmbimi i informacionit ndërinstitucional. Duke qenë një institucion krejt i ri, ILD ka patur vëmendje të shtuar për ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale të hetimit, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira në lidhje me procedurat e hetimit të shkeljeve disiplinore ndaj magjistratëve. E kemi nisur këtë rrugëtim me miq të mirë, partnerë ndërkombëtarë nga EURALIUS e OPDAT, tek CEPEJ e deri tek Rrjeti Europian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë, ku tashmë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mban statusin e vëzhguesit, në një Rrjet ku anëtarët janë vetëm nga vende të Bashkimit Europian”,- tha ai.
Fraksion.com