AktualitetBota+Të fundit

Kush e merr Downing Street-in pas largimit të Boris Johnsonit?

Nga Barbara Wesel

Partia konservatore britanike ndodhet në garë për pasardhësin e Boris Johnsonit – Ish-ministri i Financave, Rishi Sunak pas raundit të parë të votimit kryeson. Gara mbyllet më 5 shtator.

Konservatorët britanikë kanë filluar garën për pasardhësin e Boris Johnsonit. Pas raundit të parë të votimit mbeten 6 kandidatë në garë. Shumicën e votave në raundin e parë e mori ish-ministri i Financave, Rishi Sunak, me 88 vota. Në vendin e dytë u renditën me 67 vota sekretarja për çështjet e jashtme, Penny Mordaunt, në vend të tretë ministrja e Jashtme, Liz Truss me 50 vota. Kandidatët për pasuesin e Johnsonit dalin në disa raunde, deri sa në fund të mbeten dy kandidatë. Pas kësaj zgjedhja i mbetet aëtarëve të partisë.

Vetë kryeministri që ndodhet ende në detyrë, i cili dha ditën e hënë (11.07) intervistën e parë pas njoftimit të dorëheqjes nuk foli në lidhje me pasardhësin e tij. Sepse nuk do që t’i prishë askujt shanset e votimit.

Synimet e kandidatëve janë të ngjashme

Torit u kthyen shpinën zhvillimeve të kohës kur në krye ndodhej Boris Johnsoni dhe shfaqen tani sërish si parti e uljeve radikale të taksave. Pothuajse të gjithë kandidatët për postin e kryeministrit, duan që qytetarët të kenë pjesë më të madhe tek të ardhurat e tyre, ndërkohë që në kohën e Johnsonit taksat arritën nivelin më të lartë të viteve të fundit.

Tek kthimi mbrapa bën pjesë edhe kthimi tek rritjet e shpenzimeve sociale. Edhe rritja e taksave mbi ndërmarrjet, e planifikuar nga ministri i fundit i Financave Rishi Sunak, është hequr nga axhenda: Ministri donte që kjo taksë të rritej në 21 përqind, shumë nga konkurruesit e tjerë kërkojnë tani taksë më të ulët, që të jetë në nivelin e 15 përqindshit duke hequr kështu dorë nga planet ndërkombëtare për vendosjen e një takse minimale në nivel global.

Großbritannien Premierminister Johnson tritt als Parteichef zurück

Nëse do të luftohet kështu dobësimi i vazhdueshëm i investimeve të huaja, pritet të shihet. Sepse të gjithë kandidatët deklarohen njëkohësisht pro një Brexiti të ashpër, i cili sipas vlerësimeve i ka kushtuar vendit më shumë se dy përqind të rritjes ekonomike.

Frika edhe e vetë kandidatit më të moderuar të krahut kundërshtar të mbështesve të Brexitit të ashpër në grupin e quajtur gabimisht “European Research Group”, është aq e madhe, saqë as udhëheqësi opozitar nuk guxon të prekë lajtmotivin e shkëputjes së fortë nga BE.

Problemi më i madh për këto plane taksash është se askush nuk mund t’i financojë. Përveç sinjaleve të mjegullta për shkurtime në shërbimin publik dhe për “hapësirat e mundshme” fiskale, çështjet kryesore mbeten pa përgjigje. Për shkak të krizës së Koronës dhe rritjes së dobët ekonomike borxhet shtetërore britanike janë rritur me 95 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit dhe qeveria e ardhshme e konservatorëve, pavarësisht kë do të ketë në krye, do të vazhdojë t’i rrisë edhe më shumë.

Climate COP26 Summit I Rishi Sunak Ish-ministri i Financave, Rishi Sunak

Të mirët, të këqinjtë dhe ata që nuk njihen

Dhe për më tepër: Natyrisht që të gjithë, pa përjashtim premtojnë një fillim të ri. Lista e kandidateve dhe kandidatëve para randit të parë kishte diversitet sa kurrë ndonjëherë, shumë prej kandidatëve ishin me origjinë aziatike ose afrikane. Sidoqoftë ata krijojnë një përzierje të çuditshme të përbërë nga ish-ministra të qeverisë së Johnsonit, figura shumë të diskutueshme dhe njerëz krejt të panjohur të ulur në stolin e rezervave.

Shanset më të mëdha duket se i ka ministri i Financave, Rishi Sunak, i cili doli në krye të raundit të parë. Megjithatë intrigat kundër tij janë duke u gatuar me zell: Dëshmi të reja për vendin ku ka zgjedhur të paguajë taksat bashkëshortja shumë e pasur e tij dhe faktin që vetë Sunak ka pasur për një kohë të gjatë një lejeqëndrimi amerikane, Green Card, kërkojnë ta diskretitojnë atë në sytë e anëtarëve të partisë.

Ka thashetheme që thonë, se fushatat kundër tij vijnë nga rrethi i këshilltarëve të Boris Johnsonit. Johnsoni vetë është ende i indinjuar për dorëheqjen e Sunakut javën e kaluar,hap që dha kontributin vendimtar për largimin politik të kryeministrit.

Shumë para, shumë pyetje

Me shpatulla pas muri u vendos edhe pasardhësi i Sunakut në postin e drejtorit të thesarit, Nadhim Zahawi, nga akuzat se kundër tij pritet të bëhen hetime për mospagim taksash. Ai akuzohet se në krijimin e pasurisë së tij disamilionëshe ai ka bashkëpunuar dy herë me firma që më vonë kanë falimentuar.

Edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Sajid Javid, që sjell me vete përvojën më të gjatë qeveritare dhe po ashtu dha kontribut për largimin e Boris Johnsonit, është duke stërholluar e përdredhur për të dhënë informacione të sakta për çështjen e taksave.

Großbritanniens Außenministerin Liz Truss
Kandidatja tjetër konservatore, Liz Truss

Duket se shumë të pasurit mes kandidatëve kanë probleme me taksat. Këtu bën pjesë edhe ministrja e Jashtme, Liz Truss, kundërshtarët e së cilës vazhdojnë ta akuzojnë se nuk ia ka idenë. Ose Prokurorja e Përgjithshme, Suella Braverman, e cila përkrahet nga të djathtët dhe lufton kundër paragjykimeve e diskriminimit racial dhe politikës identitare.

Si funksionon procesi?

Zgjedhja i ngjan një lloj fushate elektorale: Dy kandidatët i prezantohen organizatave rajonale të partisë dhe i kërkojnë atyre votën. Pastaj në festat verore që organizohen nga torit në qytetet ku ata kanë shumicën në jug të Anglisë, merret vendimi se cili do jetë favoriti i partisë për të shkuar në Downing Street. Për t’u kualifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje, çdo kandidat duhet të sjellë në Dhomën e Ulët të Parlamentit votën e të paktën 20 kolegëve. Afati i fundit ishte e marta (13.07) në mbrëmje. Pas kësaj pasojnë takimet seleksionuese në Dhomën e Ulët. I gjithë procesi zgjat deri më 5 shtator, kur para britanikëve prezantohet kryeministri i ri.

Großbritannien | Boris Johnson kündigt Rücktritt an

Kandidatët seleksionohen në dy raunde zgjedhore – i pari u zhvillua të të mërkurën – nga ku mbetën në garë gjashtë kandidatë – raundi tjetër zhvillohet të enjten e ardhshme, ku ata që marrin më pak vota do të largohen nga gara. Ata që mbeten në garë reduktohen në raundet e tjera duke larguar ata që mbeten në fund të listës.

Graham Brady, kryetar i të ashtuquajturit “1922 Komitees” i deputetëve koservatorë, komitet që luan rol vendimtar në këtë proces, do ta reduktojë para fillimit të pushimeve të verës më 21 korrik, numrin e kandidatëve duke e ulur në dy. Kjo dyshe shkon në zgjedhjen përfundimtare.

Dy javët e ardhshme Parlamenti do të transformohet në një hambar të madh intrigash, luftërat e brendshme janë kontaminuese për klimën në parti. Vendimin për kryeministrin e ri e marrin pastaj 100 mijë anëtarë të Partisë Konservatore. Herën e fundit pjesa më e madhe e tyre ia dha votën Boris Johnsonit. Tani atyre u duhet të vrasin mendjen çfarë cilësish, përveç humorit dhe talentit të populizmit duhet të ketë pasardhësi i tij. /DW

 

Fraksion.com