AktualitetPolitikëTë fundit

I dërguari i Parlamentit Gjerman për Ballkanin: Vetoja bullgare, egoiste! Mbështes integrimin e Shqipërisë në BE pa të drejtë vote

Raportuesi i Bundestagut gjerman për Ballkanin Perëndimor, Adis Ahmetoviç deklaroi sot se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë nisjen e negociatave me BE-në.

Në një konferencë për mediet, eurodeputeti gjerman Adis Ahmetoviç tha se ka ende vend për optimizëm ndërsa shtoi se BE duhet të lëvizë në drejt Ballkanit Perëndimor.

“Maqedonia e Veriut ka bërë kaq shumë gjera për ta marrë këtë hap të mëtejshëm, për ta hedhur këtë hap. Ata ndryshuan emrin e vendit pa konflikte. Ne e njohim mendësinë këtu në Ballkanin Perëndimor në çështjet me identitetin që lidhen me gjuhën, emrat, që lidhen me besimet fetare. Sërish kemi diskutimin me Bullgarinë për shkak të gjuhës. Franca ka arritur të bëjë përpjekje për kompromis për një zgjidhje dhe në fillim le të promovojmë këtë zgjidhje. Kemi dhe këtë javë për ta  nxitur këtë zgjidhje dhe për të bindur Maqedoninë e Veriut, parlamentin që kjo është zgjidhja e duhur. Gjeja më e mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është të ecin së bashku në këtë rrugëtim. Kështu ne e mbështesim përshkruarjen e kësaj rruge së bashku të të dy vendeve”, tha ai.

“Të dy vendet e meritojnë këtë hap dhe për këtë shkak unë vendosa  të udhëtoj në Shqipëri për të bindur njerëzit për idenë e Bashkimit Europian.  Shqipëria është pjesë e BE dhe ju meritoni të jeni pjesë e BE. Ishin  gabimet tona tre javë më parë. Megjithatë ka vend për optimizëm. Ju duhet të vazhdoni të jeni optimistë. Ne duhet të lëvizim në drejtimin tuaj sepse ju keni bërë shumë. Pas kësaj vizite në Shqipëri unë do të takohem me disa anëtarë të qeverisë të Maqedonisë së Veriut për të promovuar zgjidhje. Mund ta nisim me elemente teknike për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është një shenjë dhe sinjal i mirë edhe për vendet e tjera në rajon. Na duhet një Shqipëri dhe një Maqedoni e Veriut e fortë”, deklaroi ai.

Ai theksoi se në kohët që po jetojmë nuk mund të ndodhë që një vend të vendosë me  anë të vetos për të ardhmen e një rajoni. Prandaj sipas tij duhet të ndryshojë ky parim i punës së BE-së.

Në këto kohë dinamike me kaq probleme na duhet një reformim i BE-së dhe kancelari Olaf Scholz e ka thënë në Bundestag që duhet të punojmë për këtë. Nuk duhet të ndodhë që një vend të vendosë për të ardhmen e një rajoni të tërë prej 6 vendesh sepse nuk janë dakord me një ose dy gjëra. Ndoshta në fillim të ndërtimit të këtij BE ishte vendim i mirë për të ndërtuar besim mes vendeve. Por ky instrument vetoje po përdoret shumë shpesh për gjëra egoiste dhe për shkak të kësaj na duhet ta ndryshojmë”, u shpreh Ahmetoviç.

Lidhur me nismën “Ballkani i Hapur” dhe rolin e saj përballë Procesit të Berlinit, eurodeputeti gjerman tha se “ideja e Ballkanit të Hapur përgjithësisht nuk është një ide e keqe. Çdo ide për të ndërlidhur 6 vendet është e mirë, por në krye të bashkëpunimit të 6 vendeve kemi Procesin e Berlinit dhe procesi i Ballkanit të Hapur mund të jetë vetëm një element i procesit të jashtëzakonshëm dhe të madh të Berlinit”.

“ Është mirë të flasësh për Ballkanin e Hapur ndoshta dhe në konferencën e ardhshme të procesit të Berlinit ndoshta në shtator apo tetor, por këtë vit  Kancelari Sholcz  do të zhvillojë një takim me të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Pra nuk mund t’i themi kategorikisht jo idesë së Ballkanit të Hapur, duhet t’i japim një shans kësaj ideje, por është vetëm një elementi i Procesit të Berlinit dhe kreu i këtij procesi është Berlini dhe jo Ballkani i Hapur ”, tha Ahmetovic.

Propozimi francez:

Drafti tashmë i miratuar parashikon që së pari të garantohet hyrja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe. Kusht tjetër është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së “gjuhës maqedonase”. Duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij. Në kuadër të procesit negociator duhet të paralajmërohet edhe rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë me Republikën e Maqedonisë Veriore.

Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t’i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi “merr parasysh” synimet e të dyja palëve për të lëshuar “deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase”, me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018.

 

Fraksion.com