Komisioneri i Bashkimit Evropian, Várhelyi viziton nesër bajpasin e Vlorës
Komisioneri i Bashkimit Evropian, për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Várhelyi, së bashku me kryeministrin Edi Rama do të vizitojnë nesër bajpasin e Vlorës, të financuar nga BE-ja.
Bashkimi Evropian ka mbështetur ndërtimin e bajpasit të Vlorës nëpërmjet një granti prej 20 milionë eurosh.
Gjithashtu, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po kontribuojnë me hua prej 18 milionë euro secila për këtë projekt.
Pas një vizite të shkurtër përgjatë bajpasit, komisioneri dhe kryeministri do të mbajnë një konferencë për shtyp.
Bajpasi i Vlorës, një aks i shumëpritur që lehtëson aksesin drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm turistik të vendit, u hap përfundimisht për mjetet në fund të javës së shkuar. Kjo është një vepër më shumë që i shtohet gjerdanit infrastrukturor të jugut.
Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.
Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.
Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.
Në çdo 1.5 kilometra të kësaj rruge është parashikuar vendpushim për automjetet.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian.
Fraksion.com