AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

Rama: Baza e flotës detare, vlerë e rëndësishme për Aleancën

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se “do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe stabilitetit”.

Rama informoi se në takimin dypalësh u ndanë opinione pas Samitit të Madridit, i cili ishte vërtetë moment historik për NATO-n, si dhe ku u miratuan vendime të rëndësishme për të transformuar e forcuar NATO-n, që ajo të mbrojë paqen dhe të parandalojë konfliktin.

Kryeministri Rama u shpreh krenar që parlamenti shqiptar ishte ndër të parët që ratifikoi protokollet e anëtarësimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë.

“Ne qëndrojmë me forcë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe sigurisht që është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin e integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, tha Rama.

Kryeministri theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëbisedimit përkundrejt situatës dhe detyrimeve që Shqipëria ka në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar çdo përshkallëzim, dhe të parandalohet çdo ndikim i keq që të kthehet në problem për rajonin tonë.

“Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe kandidat për në BE, ne do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe stabilitetit. Koncepti i ri strategjik, që ne sapo kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n. Ne besojmë shumë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Serbinë, e cila nuk është pjesë e NATO-s, por e rajonit tonë”, tha Rama.

Kryeministri i prezantoi Stoltenberg edhe ambicien e Shqipërisë për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e Aleancës, duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit, që do të jetë një vend që mund ta ndërtojmë, por ta ndërtojmë duke pasur parasysh sfidat e kohës nga ndryshimi i klimës, mbrojtja e mjedisit etj.

“Përherë kënaqësi të kthehesh këtu dhe gjithnjë e më e dobishme të kthehesh me energji të plota e të vazhdosh t’i shërbesh kësaj Aleance të shenjtë”, tha Rama.

 

Fraksion.com