AktualitetPolitikëTë fundit

Manja: Harta e re gjyqësore shpërndan 408 gjyqtarë në 17 gjykata

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se harta gjyqësore shpërndan 408 gjyqtarë në 12 gjykata të shkallës së parë, një gjykatë apeli, në 2 gjykata administrative, një gjykatë të posaçme të shkallës së parë dhe një gjykatë të posaçme apeli.

“Ka qenë një detyrim ligjor, i cili duhej të përmbushej jo më larg se 18 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Harta nuk merr në konsideratë stokun e çështjeve, sepse nuk është problem që lindi sot, as procesin e vetingut. I është referuar ligjit të vitit 2016, ka bërë riorganizimin gjyqësor për caktimin e kompetencës gjyqësore për 408 gjyqtarë”, deklaroi Manja gjatë seancës dëgjimore bazuar në kërkesën e depozituar nga 1/3 e deputetëve të opozitës parlamentare, për projektin e hartës së re gjyqësore.

Ministri deklaroi se, u janë marrë sugjerimet avokatëve dhe janë krijuar konsultime publike me ta dhe askush nuk mund ta kritikojë atë sa i takon transparencës, kur në vitin 2017 ministri i Drejtësisë në detyrë shkriu me një të rënë të lapsit 10 gjykata.

“Harta e re gjyqësore sot është çështje e zbatimit të ligjit, nëse ka probleme ligji, parlamenti mund të ndërhyjë, për sa kohë është në fuqi, Ministri i Drejtësisë ka detyrimin ligjor të mbështesë hartën e propozuar nga KLGH”, u shpreh më tej Manja.

Ai vlerësoi nga ana e tij hartën e e re gjyqësore, teksa theksoi se është hartuar nga ekspertët më të mirë të fushës, si dhe është konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Manja tha se qeveria tashmë ka miratuar edhe një vendim për të tërhequr nga Gjykata e Lartë të rekurseve që ka ushtruar administrata shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, kur vlera e dëmit është jo më e madhe se 40-fishi i pagës minimale.

“Janë gjithsej 4100 çështje nga të cilat do të lirohet gjykata. Stoku është problem, dhe është problem edhe në vende të tjera të Evropës. Do të ketë po ashtu, rishpërndarje dosjesh, duke e bërë të barabartë ngarkesën. Një mekanizëm tjetër është edhe drejtësia alternative. Ndërsa shumë shpejt do të funksionojë edhe drejtësia digjitale, ku palët jo domosdoshmërisht duhet të jenë në sallën e gjyqit”, theksoi ai.

Në vitin 2021, vijoi Manja, 17200 qytetarë i janë drejtuar gjykatës.

Gjatë kësaj dëgjese, ministri Manja ngritit një tjetër çështje që është ndihma juridike falas për qytetarët që nuk kanë mundësi. “Kanë shfuqizuar listën e avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike falës. Qeveria ka dhënë miliona lekë për ndihmë juridike gjyqësore falas. Shumë shpejt do ti drejtohemi ligjvënësve për një ndryshim të ligjit “Për dhomën e avokatëve””, tha Manja.

Lidhur me bojkotin e avokatëve, Manja theksoi se magjistratëve u kufizohet e drejta e grevës, çka e bën automatikisht të kufizuar edhe për avokatët.

 

Fraksion.com