AktualitetPolitikëTë fundit

Llagami: Harta gjyqësore zbatim i reformës në drejtësi, vonesa në miratim sjell kaos në sistem

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami deklaroi sot se “vonesat në miratimin e hartës së re gjyqësore sjellin çdo ditë e më shumë kaos në sistem”.

Në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, Llagami bëri një prezantim shterues të nevojës së krijimit të hartës së re gjyqësore.

Sipas saj, “i gjithë projekti për hartën e re gjyqësore është i mirëmenduar dhe ka kohë që punohet nga grupi i punës”.

“Vonesat në miratimin e hartës së re gjyqësore na sjellin probleme edhe në emërimin e gjyqtarëve të rinj, pasi kemi problematika se ku do t’i plotësojmë vendet. Harta e re gjyqësore ka të bëjë me një shpërndarje të drejtë të burimeve njerëzore dhe kjo do të ndikojë direkt në shërbim”, tha ajo.

Llagami i dha po ashtu përgjigje edhe pyetjeve lidhur me gjykatën e Sarandës, që sipas saj, “ka qenë një reflektim në statistika dhe jo politikë”.

“Në 3 vitet e para ka qenë në ngritje mosmarrëveshjet dhe ne çojmë shërbim aty ku ka mosmarrëveshje, jo aty ku nuk ka lëndë”, tha Llagami.

Llagami theksoi se harta e re gjyqësore është hartuar bazuar në zbatimin e ligjeve të reformës në drejtësi, të cilat janë miratuar nga parlamenti. “Grupi i punës, i ngritur në kohë, ka hartuar brenda afateve një raport prej 172 faqesh ku ka analizuar çdo indikator. Ne morëm ekspertizën e Këshillit të Europës dhe të projektit të USAID që është projekt lider, morëm ekspertizën e OSBE-së dhe delegacionit të BE-së dhe gjithë puna e grupit të punës u mbyll brenda afatit. Në shtator 2020, grupi i punës i dërgoi produktin final Ministrisë së Drejtësisë”, tha ajo.

Llagami theksoi se ligji vendos disa kritere, ndër të cilat që një gjykatë duhet të jetë me 7 gjyqtarë dhe se duhet të kemi Gjykatë Apeli me minimumi 10 gjyqtarë. “Deputetët e kanë ngritur dorën dhe e kanë miratuar ligjin, nuk e ka bërë KLGJ, ndërsa grupi i punës ka zbatuar ligjin. Nuk ka në Shqipëri sot ekspertë për hartën gjyqësore”, vijoi ajo.

Kryetarja e KLGJ-së theksoi po ashtu se që në fillim të punës, ky institucion nuk mund të dinte se sa gjyqtarë nuk do të kalonin Vetting-un, ndërkohë që përveç madhësisë, ngarkesa e tre viteve të fundit ishte një tjetër kriter.

“U përpunuan të dhënat dhe doli që për gjykatat e shkallës së parë mesatarja e ngarkesës ishte 429 çështje për gjyqtar, ndërsa në nivel Apeli ishte mbi 200 çështje. Në të gjithë indikatorët që morëm arritëm në përfundimin se pjesa më e madhe e gjykatave nuk e justifikonin të qëndronin. Një gjykatë që ka gjithsej 130 çështje si gjykatë dhe një tjetër ku vetëm një gjyqtar gjykon 600 çështje, a është proporcionale kjo?”, tha Llagami.

Sipas saj, “duke krijuar mundësi për ngarkesë të njëjtë krijohet po ashtu edhe mundësia e e një performance të mirë”.

Lidhur me gjykatën e Apelit, Llagami tha se “nuk donim që të merrnim vendime drastike dhe vendimi nuk do të jetë drastik”.

“Vendimi dhe plani është me faza. Pjesa më e madhe e Apeleve që ne kishim nuk e justifikonin ngarkesën. Të vetmet që e justifikonin ishin gjykatat e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës. Apeli ka funksion rishikues, ndërsa gjykatat janë një shërbim fundor, jo parësor, dhe jo të gjithë qytetarët shkojnë në gjykata”, argumentoi më tej ajo.

Llagami shtoi se nisur nga fakti se Vetting-u nisi nga shkalla më e lartë e gjyqësorit tek ajo më e ulëta, Apeli u prek më shumë nga largimet.

“Sot kemi një gjyqtar Apeli në Gjirokastër me 180 çështje dhe një gjyqtar Apeli në Tiranë me 2 mijë çështje. Mënyra e vetme kur nuk kemi burime njerëzore është përqendrimi i gjyqtarëve, që të rritet numri i çështjeve që gjykon”, tha ajo.

 

Fraksion.com