AktualitetPolitikëTë fundit

“Degradim i sistemit arsimor”; Përplasja Vokshi- Kushi: Padia ndaj deputetes

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi sot pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme, se e ka paditur deputeten e PD-së Albana Vokshi për shpifje.

Në një prononcim për mediet pas seancës, Kushi shprehu keqardhje lidhur me deklaratën e Vokshit, sipas së cilës ministrja ka tentuar që ajo të tërhiqet nga padia.

“Keqardhje që edhe sot mashtroi përpara medias duke deklaruar që unë kam tentuar që ajo të tërhiqet nga denoncimet. I kujtoj deputetes që është e akuzuara në këtë çështje, dhe jam unë ajo që e kam ngritur këtë padi dhe e kam akuzuar për shpifje. Është guxim i madh të mashtrosh edhe mbi deklaratat brenda seancës në gjykatë, të cilat janë të dokumentuara dhe lehtësisht të verifikueshme. Prandaj me besimin e patundur tek drejtësia e re, unë do t’i shkoj çështjes deri në fund, me qëllim për të kontribuar për një politikë të ndershme, pa shpifje dhe pa mashtrime”, deklaroi Kushi.

Ministrja ka ngritur padi ndaj deputetes Albana Vokshi më 8 prill 2022, ku e akuzoi për shpifje.

Ndërsa deputetja Vokshi u shpreh më herët se “kjo ishte një seancë pajtimi dhe ministrja Kushi tentoi që unë të tërhiqesha nga deklarata dhe denoncimet e mia”.

“Kjo sigurisht nuk ndodh. Si mundet unë të pajtohem me ministren Kushi, kur ajo është përgjegjëse për degradimin e sistemit arsimor? Si mund unë të pajtohem me Kushin që është përgjegjëse, pasi e ka shndërruar arsimin në celulë të PS-së? A mundem unë të pajtohem apo të bëhem palë me qeverinë e cila po keqtrajton mësuesit, nuk u jep arsimin që meritojnë nxënësit dhe studentët? A mundem unë të pajtohem me Kushin dhe me Ramën që mbajnë përgjegjësi ligjore, morale dhe politike që 208 mijë studentë janë larguar nga sistemi arsimor në këto 8 vitet e fundit. 208 mijë nxënës e studentë tregon plagën e rëndë të shpopullimit të Shqipërisë”, tha Vokshi.

Vokshi theksoi se “ne si opozitë do jemi në krah të tyre. Duke shprehur mirënjohjen për mijëra nxënës, studentë, prindër që iu bashkuan protestës së 7 korrikut, unë do i bëja thirrje që të rezistojnë, të protestojnë dhe të bashkohen me protestat që do vijojnë më tej”.

 

Fraksion.com