Ukraina përgatitet për një sulm tokësor rus pas granatimeve masive në Lindje
Ushtria e Ukrainës tha se po përgatitet për një ofensivë të re nga forcat tokësore ruse, pas disa ditësh të bombardimeve në shkallë të gjerë, që vranë dhjetëra civilë në Ukrainën lindore derisa forcat e Kremlinit vazhdojnë përpjekjet e tyre për të kapur provincën Donetsk dhe të gjithë qendrën industriale të Donbasit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky , tha më 11 korrik se forcat ruse kishin kryer 34 sulme ajrore gjatë dy ditëve të fundit dhe se numri i të vdekurve në sulmin në një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe në qytetin e vogël të Chasiv Yar ishte rritur në 33 persona, duke përfshirë në të paktën një fëmijë.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se forcat ruse po përdornin granatimet si përgatitje për intensifikimin e armiqësive tokësore në lindje.
Zyrtarët ukrainas i kanë quajtur sulmet ndaj objektivave civile në rajon “krime lufte” dhe i janë lutur Perëndimit që të shtojë shpërndarjen e armëve të nevojshme për t’i rezistuar sulmit.
Instituti për Studimin e Luftës me qendër në SHBA tha se Rusia po rigrupon forcat e saj dhe se sulmet masive të artilerisë kishin për qëllim të vendosnin kushte për përparimet e ardhshme tokësore.
Moska mohon se ka shënjestruar vende civile, edhe përballë provave të dokumentuara me video dhe shkatërrimit pothuajse total të shumë qyteteve dhe qytezave të Ukrainës.
Fraksion.com