AktualitetRajoniTë fundit

Kisha greke pagëzon fëmijët e një çifti homoseksualësh në një katedrale në Athinë

Kisha Ortodokse në Greqi ka ndërmarrë një hap të guximshëm, ku për herë të parë ka pagëzuar fëmijët e një çifti homoseksual.

Evanggelos Bousis dhe Peter Dundas, të dy me origjinë greke, u bënë çifti i parë homoseksual që mundën të pagëzojnë fëmijët e tyre në kishën ortodokse greke. Të vegjlit, Alexios dhe Eleni, u pagëzuan nga Kryepeshkopi i Amerikës Elpidophoros në kishën Panagia Faneromeni në një zonë në periferinë jugore të Athinës.

“Dje ishte vërtet një moment i veçantë jo vetëm për familjen time dhe mua, por për të gjithë kishën tonë ortodokse greke…Faleminderit udhëheqësit tonë të madh shpirtëror, Shkëlqesisë së tij Kryepeshkopit të Amerikës Elpidophoros, që pagëzoi foshnjat dhe nuk largoi asnjë fëmijë apo anëtar nga besimi ynë”, shkroi George Bousis, vëllai i Evanggelos Bousis, në Facebook.

Shumë përdorues të mediave sociale e konsideruan hapin një shenjë të përparimit të madh në Kishën Ortodokse Greke për sa i përket pranimit të komunitetit LGBTI.

 

 

Pagëzimi i fëmijëve të çiftit homoseksual nga Kisha Ortodokse greke sinjalizon “progres dhe udhëheqje”.

“Ky është përparimi dhe udhëheqja që na nevojitet në kishën tonë, ku asnjë personi nuk duhet t’i mohohet kurrë pranishmëria e Zotit tonë për shkak të asaj që ata janë, si zgjedhin të jetojnë jetën e tyre dhe kë duan”, tha ai.

George Bousis u zgjodh si kumbari i vogëlushit Alexios. Ai deklaroi në mediat sociale se: “Ky do të jetë përgjithmonë një moment që do ta vlerësoj dhe një përkushtim që do të mbaj gjithmonë për ta udhëhequr, dashur dhe mbrojtur atë në çdo hap të jetës”.

Eugenie Niarchos, vajza e Phillip Niarchos dhe mbesa e Stavros Niarchos, shërbeu si kumbare e vajzës së çiftit, Eleni.

Modelja italiane Bianca Brandolini u zgjodh gjithashtu si kumbare e vajzës së çiftit.

Pas pagëzimit, çifti organizoi një festë në Rivierën e Athinës. Ylli i njohur grek i estradës Anna Vissi ishte e ftuar në këtë event dhe madje këndoi hitet e saj më të njohura.

Dundas dhe Bousis janë figura të njohura në botën e modës. Dundas është një stilist dhe ka punuar për emra të mëdhenj si Roberto Cavalli, Jean Paul Gaultier dhe Emilio Puçi.

Ai gjithashtu krijoi labelin e tij, Dundas, dhe madje veshi Beyonce në çmimet Grammy 2017. Bousis, bashkëshorti i tij, është edhe partneri i tij në biznes, shkruajnë mediat helene.

 

Fraksion.com