AktualitetPolitikëTë fundit

Garo: Porti ushtarak i NATO-s në Porto Romano, aferë korruptive

Partia Demokratike ka denoncuar nismën e qeverisë ndërtimin e një porti ushtarak në Porto Romano.

Në një dalje për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo pohoi se pas këtij projekti fshihet afera më e madhe korruptive, që sipas PD është; Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar të Durrësit për në Porto Romano.

DENONCIMI I PD
Këto ditë Edi Rama ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur, se NATO ka treguar interes për të ndërtuar në Porto Romano një port ushtarak.

Partia Demokratike deklaron se, ka mbështetur dhe mbështet plotësisht bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me Nato-n, si vend anëtar i saj, dhe çdo projekt, në det, tokë dhe ajër, që i nevojitet Aleancës së Atlanikut të Veriut në territorin e Shqipërisë.

Ne, gjithashtu, informojmë NATO-n se, prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës: Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar të Durrësit për në Porto Romano.

1-Ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie, në kundërshtim me çdo rregull, 1 milion metra katror territor të portit ekzistues të Durrësit. Sipas Ramës ky do të jetë truall për ndërtime si në Dubai City. Kjo marrëveshje, në të cilën dyshohet se kryeministri, dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparente dhe korruptive.

2- Gjendja aktuale e forcave të armatosura të Shqipërisë ka probleme tejet serioze, të cila lidhen para së gjithash me pagat e ulëta të ushtarakëve, mos investimin në infrastrukturë dhe buxhetin tejet të ulët të kësaj qeverie për ushtrinë. Kjo në kundërshtim me standardet e NATO-s.

3- Edi Rama ka një qëndrim të hapur antidemokratik ndaj lirisë së shtypit, të padenjë për kryeministrin dhe qeverinë e një vendi anëtar të NATO-s. Organizatat më prestigjioze të lirisë së medias, kanë dënuar në mënyrë të përsëritur qëndrimin e tij. OSBE ka theksuar në një deklaratë të para pak ditëve se liria e medias është e lidhur direkt me sigurinë. Pozicioni i Shqipërisë sa i takon medias është përkeqësuar vitin e fundit me 20 vende.

4 – Shqipëria është sot njëri nga prodhuesit kryesor të kanabisit në botë. Sivjet parakaloi në prodhimin dhe trafikun e kësaj droge, Indinë dhe Iranin. Perveç kësaj, Shqipëria është rrugë kryesore e trafikut të heroinës nga lindja drejt Europës. Ajo po bëhet çdo ditë e më shumë qendër e rëndësishme e trafikut të kokainës nga Amerika Latine. Pavarësisht nga kjo gjendje tejet problemetike me prodhimin dhe trafikimin e drogës, Edi Rama ka përgatitur dy ligje të rrezikshme për vendin:

-Ligjin për legalizimin e kanabisit, gjoja për qëllime mjekësore, dhe;
-Ligjin për amnistinë fiskale, për legalizimin kryesisht të parave të drogës dhe krimit, me të cilat ai përkeqëson edhe më tej problematikat e lidhura me drogën dhe trafikun e saj dhe rrezikon sigurinë e Shqipërisë dhe të Aleancës, për shkak të bashkëpunimit potencial të grupeve te trafikantëve me grupet terroriste.

Partia Demokratike shpreh edhe një herë, mbështetjen e plotë për Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe bashkëpunimin e gjithanshëm të Shqipërisë me të.

 

Fraksion.com