Biden publikon foton e parë të hapësirës nga teleskopi ”James Web”
Presidenti amerikan, Joe Biden zbuloi imazhin e parë me ngjyra nga teleskopi hapësinor ”James Webb”, një foto mahnitëse që kap dritën e dobët të diejve të panumërt në mijëra galaktika të paparë kurrë më parë, përfshirë harqet e dritës ku graviteti i tyre i kombinuar afron edhe galaktikat më të largëta, sipas cbsnews.com.
Imazhi i parë i publikuar për të treguar aftësitë astronomike të observatorit prej 10 miliardë dollarësh dhe për të hedhur dritë të re mbi kohën kur galaktikat filluan të grumbulloheshin duket më larg në hapësirë dhe kohë se kurrë më parë, brenda disa qindra milionë viteve që nga momenti kur universi shpërtheu si ekzistencë, rreth 13,8 miliardë vjet më parë.
”Sot është një ditë historike”, tha Biden në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.
“Është një dritare e re në historinë e universit tonë dhe sot ne do të shohim dritën e parë që do të shkëlqejë nga ajo dritare”, deklaroi ai.
Administratori i NASA-s, Bill Nelson ia përshkroi imazhin presidentit duke thënë se të gjithë yjet dhe galaktikat që përfshinte ishin të vendosura në një zonë hapësire me madhësinë e një kokrre rëre të mbajtur në gjatësinë e krahut nga dikush që qëndron në Tokë.
“Ne po shikojmë prapa më shumë se 13 miliardë viteve”, tha ai.
“Ajo dritë që po shihni ka udhëtuar për më shumë se 13 miliardë vite. Ky është vetëm imazhi i parë dhe, duke qenë se ne e dimë se universi është 13,8 miliardë vite i vjetër, ne po kthehemi pothuajse në fillim të kësaj historie”, shtoi ai.
NASA planifikon të publikojë sot imazhe shtesë, foto të dizajnuara për të shfaqur aftësinë e ”Webb” për të hartuar detajet e evolucionit yjor, nga lindja e yjeve deri në ”vdekjen” nga supernova, për të studiuar se si formohen, bashkohen dhe evoluojnë galaktikat dhe për të hetuar përbërjen kimike të atmosferave rreth planetëve që rrotullohen rreth yjeve të tjerë.
Fraksion.com