Kryeministër “non grata”?! Berisha: Nuk e kërkoj mbështetjen amerikane! Ja çfarë më propozoi Donald Lu. Padia me Blinken, deri në vdekje
Kreu i PD, Sali Berisha, foli për marrëdhëniet që do të ketë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse vjen në pushtet.
Në studion e emisionit “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24, Berisha u pyet, nëse mund të bëhet kryeministër një politikan i shpallur “non grata” dhe që nuk ka mbështetjen amerikane.
Lidhur me këtë, Berisha u shpreh se nuk e kërkon mbështetjen amerikane dhe as nuk do ta kërkojë atë, duke shtuar se kur ambasadori amerikan, Donald Lu, i ka propozuar të marrë drejtimin e PD-së, ai ka refuzuar.
Pjesë nga diskutimet:
Rakipllari: Nuk kishit nevojë të bënit 7 korrikut për të konfirmuar marrjen e PD, sepse e dëshmuat edhe më parë që e zotëronit bazën e partisë. Nuk është kjo sfida që keni tani, por sfida juaj është se ju thatë që do e rrëzoni Edi Ramën para se të shkoni në zgjedhje dhe në këtë kuptim përmendët protestën e Shkupit, por ajo protesta e Shkupit kishte mbështetje amerikane, ju s’e keni… A mundeni dot të bëheni kryeministër pa mbështetje amerikane?
Berisha: Dhe nuk e kërkoj mbështetjen amerikane. Të garantoj që nuk kërkoj mbështetje nga askush, përveçse nga shqiptarët. Kur më është propozuar nga të tjerë të marrë PD, kanë marrë një “jo” të thatë. Donald Lu, psh.
Rakipllari: Besoni vërtet që një forcë politike mund të marrë pushtetin, pa mbështetjen e SHBA?
Berisha: Në mënyrë absolute, 100%, me një kusht, të ketë parime të drejta.
Rakipllari: Ju do të rrëzoni një kryeministër që bën korrupsion, ndërkohë që jeni “non grata”.
Breisha: Jam rast unik në botë, i dyti, që kam paditur Sekretarin e Shtetit për shpifje. Dhe të them këtu, që do të vazhdojë gjyqi sa të jem gjallë. Edhe po u bëra kryeministër, do të vazhdojë procesi. Ka disa forma, kjo që kam bërë unë është padi për shpifje. Kam paditur në një vend.