Qentë në Australi përdoren për zbulimin e pajisjeve dixhitale
Ju mund të mendoni se dini gjithçka për qentë nuhatës, ata që trajnohen për të zbuluar substancat e paligjshme dhe kontrabandën. Policia në Australi tani ka shtuar aroma të reja, që qentë, duke i nuhatur, gjejnë objekte që ndihmojnë në luftimin e krimit, e ato janë: USB-të, mikroprocesorë dhe pajisjet e tjera për ruajtjen e të dhënave kompjuterike. Pas trajnimit qentë dërgohen në të gjithë Australinë për të ndihmuar në luftimin e abuzimit të fëmijëve dhe terrorizmit.
Qentë përdoren shpesh nga agjencitë e zbatimit të ligjit për të nuhatur eksplozivë dhe drogë.
Por ky qen i zgjuar ka mësuar një aftësi të re, përmes nuhatjes ai mund të zbulojë USB-të dhe pajisjet e tjera për ruajtjen e të dhënave kompjuterike.
“Qentë që aktualisht përdorim kërkojnë kryesisht për USB, mikroprocesorë, apo çdo formë të medias dixhitale ku ruhen të dhënat,” thotë inspektori i policisë Mark Holmes.
Pajisjet për ruajtjen e të dhënave kompjuterike mund të paraqesin prova të reja në rastet, që janë duke u hetuar dhe në to mund të gjenden dosje që policia përdor për të identifikuar kriminelët.
“Këta qen synojnë të gjejnë ato sende që policët nuk arrijnë t’i gjejnë gjatë kontrolleve,” shprehët më tej zoti Holmes.
Për këtë punë zgjidhen vetëm qentë më të mirë.
“Vetëm qentë më të mirë përfshihen në këtë program, për të arritur sukses në këtë disiplinë,” thotë Holmes.
Qentë që përzgjidhen, mund të jenë shumë të vegjël, vetëm 6 javësh. Më pas ata përfshihen në një trajnim intensiv.
“Trajnimi mbahet çdo ditë, nga mëngjesi deri pasdite dhe përfshinë disa turne të natës, gjithashtu. Procesi kryesisht zgjat rreth 3 muaj për t’i bërë gati që të nisin punën,” thotë trajneri, Rice.
Dhe cili është shpërblimi për punën e tyre të palodhur?
“Kur arrijnë të bëjnë diçka siç duhet, rroga e vetme që marrin është thjeshtë të luajnë,” thotë zoti Rice.
Qentë kanë ndihmuar në zgjidhjen e krimeve në të gjithë Australinë. Aktualisht ata janë përfshirë në 74 operacione dhe kanë gjetur 328 artikuj.
Falë suksesit të tyre, programi është zgjeruar edhe në zona tjera si në Victoria, Australinë Jugore dhe Australinë Perëndimore.
Kjo forcë e re policore ka nëntë qen që tashmë janë nxjerrë në terren dhe 2 të tjerë që janë ende në stërvitje.
Fraksion.com