Komiteti Teknik i Ekspertëve, apel qytetarëve: Vaksinohuni ndaj COVID-19, përdorni maskën
Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e sotme i bëri apel qytetarëve që të kryejnë vaksinimin kundër COVID-19.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi sot se “nisur nga situata ku ndodhemi ku kemi një rritje të numrit të rasteve pozitive me COVID-19, i bëjmë apel qytetarëve që të kryejnë dozat e treta dhe të katërta të vaksinimit”.
“Të gjithë qytetarët i kanë të disponushme vaksinat në të gjitha qendrat shëndetësore që ata i përkasin. Vaksinimi është i rëndësishëm pasi të pavaksinuarit u rrezikojnë jetën edhe atyre që janë të vaksinuar”, theksoi Rakacolli.
Rakacolli i bëri thirrje qytetarëve që të përdorin maskën në ambientet e mbyllura.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të përdorin maskën në ambientet e mbyllura, veçanërisht personave me janë me sëmundje dhe të moshuarve”, tha Rakacolli.
Më tej Rakacolli theksoi se “siç është vënë re edhe në raportimet tona të përditshme pas një periudhe të stabilizuar të përhapjes së këtij infeksioni periudhë e cila përkoi me heqjen e të gjithë kufizimeve në vend dhe më tej prej disa javësh në botë filloi një rritje e të infektuarve por edhe të sëmurëve dhe humbjeve të jetës si në Itali, Spanjë, Greqi, Maqedoni e Veriut e vende të tjera. Ky trend është vënë re edhe në vendin tonë, javën e kaluar numri i infektimeve u shtua ndjeshëm, ndërsa javën e fundit kanë ndodhur edhe humbje jete. Kjo ka ndodhur si rezultat i qarkullimit të nën varianteve të virusit Omicron, që është i njohur për shkallën e lartë të infektueshmërisë”.
Fraksion.com