Dixhitalizimi i shërbimeve, Ahmetaj: Në 4 vite, u kemi kursyer qytetarëve 998 vjet
Njohja më e mirë e koncepteve dhe rëndësia e menaxhimit cilësor, si dhe njohja me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian, në zbatimin e parimeve të menaxhimit në administratën publike, ishin në fokus të konferencës: “Baza e qeverisjes së mirë për menaxhimin e cilësisë në administratën publike”, që zhvilloi sot punimet në Tiranë.
Zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj, njëkohësisht ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, i pranishëm në konferencë deklaroi se dixhitalizimi i shërbimeve u ka kursyer në këto 4 vite 998 vite qytetarëve.
“4 vitet e fundit platformat e dixhitalizimit dhe reformat që kemi ndërmarrë me Komisionin Europian nëpërmjet instrumenteve si Sigma pët të përmirësuar administratën publike kanë dhënë rezultate. U kemi kursyer qytetarëve 998 vjet. Janë kohë e harxhuar kot pritje e qytetarëve për të marrë shërbime që përmes dixhitalizimit e marrin menjëherë”, tha Ahmetaj.
Sipas tij, objektivi është modernizimi i vazhdueshëm i administratës publike për të ndërtuar institucione publike të hapura, efikase, gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe sipërmarrjen.
“Është e rëndësishme për qytetarët rrëzimi i mureve që i largojnë e i ndajnë nga zyrat e shtetit, duke ngushtuar vazhdimisht hendekun që tradicionalisht në të kaluarën ka karakterizur marrëdhënien e shqiptarëve me admisnitratën”, vuri në dukje ai.
Ahmetaj deklaroi se një administratë e mirëtrajnuar, e mbi të gjitha me një qasje krejt të re, që ka në fokus shërbimin ndaj qytetarëve, pa vonesa, pa kokë]arje dhe pa sorrollatje është ajo që u ndërtua në institucionet publike.
“Së shpejti mund të hapim negociatat, puna e administratë nuk 100-fishohet por 1000-fishohet. Raporti i progresit për Shqipërinë në tetorin e 2021-shit vlerëson progresin dhe thekson se Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në reformën e administratës publike. Nëse ne do të bëjmë kërcime mesatare shpejtësia do të jetë normale. Me shpejtësi normale Shqipëria nuk e kap atë që aspiron. Shpejtësia duhet të jetë përtej normales përtej mesatares”, deklaroi zv/kryeministri.
Ahmetaj tha se Shqipëria ka hyrë në rrugën pa kthim të dixhitalizimit të shërbimeve.
“4 vite më parë kur e nisëm këtë reformë shumë kush nga ne mund të ishte skeptik, natyrshëm! Sot shifrat dhe statistikat flasin për rritje të vazhdueshme të përdorimit nëpërmjet dixhitalizimit të shërbimeve publike nga qytetarët dhe sipërmarrja”, deklaroi ai.
Sipas tij, qeveria ja ka dalë të komunikojë ndjeshëm komunikimin mes institucioneve. “97.5 % e qytetarëve që kanë ndërvepruar me autoritet publike përmes internetit kanë mbetur të kënaqur”, u shpreh Ahmetaj.
Fraksion.com