Blinken në G20 do të kërkojë zhbllokimin e eksporteve të Ukrainës
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do t’iu bëjë thirrje anëtarëve të G20, për t’i bërë presion Rusisë që të mbështesë përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të rihapur rrugët detare që janë bllokuar nga konflikti në Ukrainë.
Gjatë takimit të G20-s, Blinken pritet po ashtu të përsërisë paralajmërimet ndaj Kinës që të mos e mbështesë Moskën në luftën kundër Ukrainës.
Blinken është nisur më 6 korrik për në Azi, për të marrë pjesë në takimin e 8 korrikut të G20-s në Bali. Ai pritet të takohet me homologun e tij kinez, Wang Yi, por asnjë takim nuk pritet të ndodhë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ramin Toloui, ndihmëssekretar i Shtetit për Ekonomi dhe Çështje Biznesore, u tha gazetarëve se Blinken do ta ngrehë çështjen e sigurisë së energjisë dhe nismave të OKB-së për të zhbllokuar eksportet e Rusisë dhe Ukrainës të produkteve bujqësore në tregjet botërore.
“Shtetet e G20 duhet ta mbajë përgjegjëse Rusinë dhe të insistojë në mbështetjen e përpjekjeve të OKB-së për të rihapur rrugët detare për dërgesat e drithërave”, tha ai.
“Nëse kjo do të ndodhë në nivel të G20-s apo në nivel të shteteve individuale, ajo që është më e rëndësishme është qëndrimet që do të paraqesë sekretari Blinken”, tha Toloui.
Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po vjedh drithërat e saj teksa po vazhdon pushtimi i shtetit dhe se ka bllokuar protet ukrainase, ku gjenden dërgesat me drithëra. Këto bllokada Kievi ka thënë se po ndikojnë në mungesën e furnizimeve globale.
Ukraina tha se gjatë kësaj jave do të mbajë bisedime me Turqinë dhe OKB-në për të marrë garanci të sigurisë për eksportet e drithërave.
Moska ka mohuar se po vjedh drithërat e Ukrainës, por imazhet satelitore dhe të dhënat e tjera tregojnë se Rusia po transporton drithëra nga Ukraina përmes portit të Sevastopolit në Krime.
Fraksion.com