Xhaçka: Negociatat e anëtarësimit të BE me Shqipërinë të nisin sa më parë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot në takim ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne dhe ministren për Çështjet Evropiane dhe të Pronësisë të Finlandës, Tytti Tuppurainen.
“Mirëprita sot në Tiranë, ministrat e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës dhe të Finlandës, pak kohë pas vizitës së Kryeministres finlandeze në Shqipëri. Vizita e tyre nxjerr edhe njëherë në pah rëndësinë dhe vëmendjen që këto dy shtete i kushtojnë Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti Shqipërisë”, tha Xhaçka në një deklaratë të përbashkët për shtyp.
“Në këtë bisedë të parë ne u thelluam në një sërë temash ku përfshihen marrëdhëniet e ngushta mes vendeve tona, procesi i afrimit me BE-në, bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, si dhe koordinimi i qasjes sonë ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ky agresion i pakuptimtë dhe vrastar i Rusisë kundër Ukrainës është një kujtesë e dhimbshme se arritjet e Evropës gjatë dekadave të fundit nuk duhet të merren si të mirëqena. Në këtë kuptim, fillimi i negociatave të anëtarësimit të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të nisë sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Xhaçka.
“Sa i takon procesit të integrimit të Shqipërisë në BE shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur që të dy vendet i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Urojmë që, Bashkimi Evropian do të arrijë të marrë vendimin për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me vendin tonë sa më parë”, tha Xhaçka.
“Situata e aktuale e sigurisë në Evropë ishte një ndër çështjet që u diskutua gjatë takimit tonë. Shqipëria ka ndërmarrë përsipër përgjegjësinë në planin ndërkombëtar me rolin e saj proaktiv dhe konstruktiv si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si aleate e NATO-s, si anëtare e OSBE-së dhe e shumë forumeve të tjera ndërkombëtare. Shqipëria mbështet një qind për qind vendimet e BE në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë”, nënvizoi Xhaçka.
“Agresioni rus kundër Ukrainës ka nxjerrë në pah dobësitë e strukturës sonë të sigurisë dhe natyrën e kërcënimeve reale me të cilat ajo përballet sot. Samiti i NATO-s ishte një moment shumë i rëndësishëm për të përgatitur Aleancën që të përballet me kërcënimeve e reja që kemi përpara nesh. Shqipëria mbështeti që në fillim kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Shprehim kënaqësinë që Samiti i NATO-s unanimisht vendosi të ftojë Finlandën dhe Suedinë të bëhen pjesë e Aleancës duke dhënë një kontribut të vyer për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, u shpreh Xhaçka.
“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishte, gjithashtu, pikë e rëndësishme gjatë bisedës sonë. Bashkërisht jemi në një mendje se integrimi evropian është një nga detyrat vërtetë të mëdha që Evropa duhet të përmbushë në këtë moment. Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për kontinentin tone. Ai është pjesë e Evropës dhe pjesë e familjes evropiane. Për këtë arsye dialogu intensiv dhe nismat e përbashkëta rajonale, si Procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur duhet të prioritare, pasi ato mundësojnë krijimin e një tregu të përbashkët rajonal dhe garantimin e katër lirive themelore – lëvizja e lirë e personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – të cilat kanë një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin”, tha Xhaçka.
“Në planin dypalësh, bashkë me kolegët ndamë të njëjtin mendim lidhur me potencialin ende të pashfrytëzuar që ekziston në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, sidomos në planin ekonomik. Pata mundësi t’i falënderoja kolegët për ndihmën konkrete që vendet e tyre i kanë dhënë Shqipërisë, përmes projekteve të përbashkëta dhe shpreha besimin se kjo ndihmë do të vazhdojë të thellohet në të ardhmen, pasi në thelb ato i shërbejnë implementimit të reformave cilësore në vendin tonë”, shtoi më tej Xhaçka.
“Vlerësojmë se, intensifikimi i dialogut politik dypalësh e shumëpalësh mbetet i rëndësishëm, për avancimin e marrëdhënieve midis vendeve tona. Konstatojmë me kënaqësi se dialogu politik ka njohur zhvillime shumë pozitive, mes të cilave vlen të përmendim vizitën e kryeministres finlandeze, Sanna Marin, vizita e parë e një kryeministri finlandez në Shqipëri. Besojmë se vizita e sotme e ministrit Byrne do të pasohet nga vizita të tjera të nivelit të lartë nga Irlanda në Tiranë”, përfundoi ministrja Xhaçka.
Fraksion.com